SYRI TV/ Dita e 8-të e grevës së urisë në Marinzë, asnjë marrëveshje mes Bankers dhe naftëtarëve
Syri TV
Grevistët naftëtarë të Sindikatës së Hidrokarbureve janë në ditën e tetë të grevës së urisë. Naftëtarët shprehen se do të rrisin numrin e grevistëve ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet. Grevistët janë të vendosur për të vijuar protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Burime nga sindikata bëjnë me dije se gjatë takimit, kompania nuk ka pranuar plotësimin e kërkesave kryesore të naftëtarëve, por ka rënë dakord vetëm për rritjen e normës së antidotës ushqimore.Pas këtij takimi, përfaqësuesit e Sindikatës së Naftëtarëve kanë deklaruar se greva e urisë do të vijojë dhe se në ditët në vijim numri i grevistëve do të shtohet.
Sipas drejtuesve të grevës, pritet që në oborrin e godinës së sindikatës të ngrihen edhe çadra për të akomoduar naftëtarët që do hyjnë në fazën e dytë të grevës. Ndërkohë, grevistët kërkojnë që qeveria shqiptare të ndërhyjë si ndërmjetëse mes tyre dhe kompanisë Bankers Petroleum, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre ekonomike e sociale.