Drejtim në gjendje të dehur, pa leje dhe tentativë korrupsioni, 31 drejtues mjetesh nën hetim në Tiranë

Gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 31 raste shkeljesh të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë, ku janë ndaluar ose proceduar penalisht drejtues mjetesh për veprime të rrezikshme në trafik.

Nga këto, 5 persona janë ndaluar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 2 të tjerë për drejtim pa leje drejtimi. Po ashtu, janë proceduar penalisht 23 shtetas për shkelje të tjera të ndryshme të Kodit Rrugor. Në një rast është regjistruar edhe një procedim për korrupsion aktiv ndaj një personi me funksion publik.

Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit, shmangien e drejtimit të mjetit në mënyrë të papërgjegjshme dhe ruajtjen e jetës së përdoruesve të rrugës.

Njoftimi i Policisë:

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë

Shërbimet e Policisë Rrugore vijojnë patrullimet 24/7, në akset urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.

Gjatë 72 orëve të fundit, si rezultat i këtyre kontrolleve, 31 shtetas janë arrestuar ose proceduar penalisht. Konkretisht:
* 5 shtetas janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur;
* 2 shtetas janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
* 23 shtetas janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor;
* 1 shtetas është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, dhe të tregojnë kujdes maksimal për jetën dhe sigurinë e çdo përdoruesi të rrugës.