GJKKO i refuzon lirimin Metës/ Cakrani: Gjyqtarët janë kthyer në toga pushkatimi!
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, GJKKO, ka hedhur poshtë kërkesën e ish Presidentit, Ilir Meta për lirimin nga qelia.
Në vendimin e marrë të mërkurën e 22 tetorit, gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka rrëzoi kërkesën e Metës për shuarje të masës së sigurisë.
Për avokatin e Metës, Kujtim Cakrani, një vendim i tillë është tejet i rëndë, duke shtuar se afatet e paraburgimit për ish-presidentin kanë përfunduar.
Sipas Cakranit, ajo se çfarë po ndodh me vendimet gjyqësore në Shqipëri është një kambanë alarmi, ku gjyqtarët sipas tij janë kthyer në toga pushkatimi.
Afati 1-vjeçar është ezauruar dje. Teknikalitet e GJKKO për të justifikuar vendimmarrjen e saj, s’kanë vlerë. Është shumë e rëndë kjo që ka ndodhur sot. Nesër do shqyrtohet revokimi i masës. Ne kemi bërë kërkesë SPAK për revokimin e masës ndaj Metës.
S’ka më asnjë mundësi, që Meta të prishë provat e intimidojë dëshmitarë. S’ka as dëshmitarë e prova, që Meta duhet t’i dëmtojë. Është një situatë e rëndë. Prezumimi i pafajësisë në këtë vend s’ekziston më.
Është kambanë alarmi. Na duhen gjyqtarë për të bërë drejtësinë. Nuk e di me çfarë standardi e masin gjyqtarin... me dashnore...këto gjykata janë toga pushkatimi.