Mafia Shqiptare ka marrë përsipër transportin e tonelatave të drogës drejt Evropës

 Nga Alba Kepi

Më 24 shtator 2025, në programin “Lezioni di Mafie të La7”, prokurori i njohur antimafia, Nicola Gratteri, rrëfeu për herë të parë në detaje rolin në rritje të mafias shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Intervista theksoi një fenomen të pakapshëm për publikun, por me pasoja të mëdha për sigurinë dhe ekonominë evropiane.

“Në vitet e fundit,” tha Gratteri, “klanet shqiptare kanë marrë përsipër transportin e tonelatave të drogës drejt Evropës, ndërsa 'Ndrangheta ka vendosur të përqendrohet në pastrimin e parave. Kjo është një strategji e qartë: mafia italiane lë pjesën më të rrezikshme te shqiptarët, duke ruajtur vetë kontrollet e financave.”

Sipas Gratterit, mafia shqiptare nuk është më një aktor periferik në trafikun e drogës. Ajo ka krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelët në Amerikën e Jugut, duke siguruar furnizimin e drejtpërdrejtë me kokainë dhe duke u bërë partner i besueshëm në tregun evropian. Ky zhvillim ka rritur ndjeshëm fuqinë dhe ndikimin e klaneve shqiptare, sidomos në portet kryesore të Spanjës dhe Italisë.

Gratteri gjithashtu vuri në dukje se ky “delegim” i trafikut nuk është vetëm një çështje logjistike. Ajo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike dhe në mënyrën se si krimi i organizuar operon në Evropë. “Shqiptarët kanë marrë përsipër transportin, por kjo do të thotë se përballen me rrezikun më të madh. Shumë operacione kapen nga autoritetet europiane, por ato që kalojnë kanë një ndikim të madh financiar për mafian italiane,” tha ai.

Sipas Gratterit, mënyra më e mirë për të goditur këtë fenomen është një koordinim ndërkombëtar i policive dhe prokurorive. Një shembull i suksesshëm është bashkëpunimi mes Italisë, Spanjës dhe vendeve të tjera të BE-së për të goditur rrjetet e transportit dhe laboratorët e përpunimit të drogës. Por ai paralajmëroi: “Nëse nuk veprohet me vendosmëri, kjo strukturë kriminale do të vazhdojë të fuqizohet.”

Ky skenar i mafias shqiptare është një shembull se si krimi ndërkombëtar evoluon dhe adaptuar për të shmangur kontrollin e autoriteteve, duke krijuar një “rrjet global” ku transporti dhe financat shpërndahen midis vendeve të ndryshme.

Ketu videoja