Shehu: Gjykata e Lartë italiane konfirmon se Berlusconi nuk ka lidhje me mafian, një paralajmërim për Shqipërinë
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Italisë për pafajësinë e Silvio Berlusconit dhe Marcello Dell’Utrit, duke e krahasuar me realitetin politik në Shqipëri.
Shehu thekson se drejtësia italiane i dha fund një kalvari të gjatë shpifjesh e akuzash të pabazuara ndaj Berlusconit, duke provuar se ai nuk kishte asnjë lidhje me mafian përkundrazi, ishte vetë i sulmuar prej saj.
Deputeti demokrat nënvizon se ky vendim është një “fitore e madhe për të vërtetën”, por që i kujton “vijat paralele” me mënyrën si, sipas tij, drejtësia po përdoret sot në Shqipëri për të goditur politikisht opozitën dhe për të mbrojtur pushtetin.
Postimi:
Pierferdinando Casini, vite më parë më tha: “Berlusconi nuk ka të bëjë aspak me mafian”.
Duke shtuar: “Unë aktualisht jam në mosmarrëveshje politike me Berlusconin, por më beso, ai është një njeri me zemër të madhe”!
Më foli kështu pikërisht në ato vite histerie ndaj Berlusconit.
U kujtova sot për këtë, kur Gjykata e Lartë e Italisë jep verdiktin:
Berlusconi dhe Dell’Utri nuk kanë lidhje me mafian!
Ai u luftua nga mafia.
Dhe kjo e vërtetë e madhe konfirmohet tashmë, pas një kalvari shpifjesh, akuzash të pabazuara, denigrimesh ndaj Berlusconit, si dhe vitesh burg për Dell’Utrin.
Një fitore e madhe kjo për të vërtetën, për atë personalitet historik, për Forza Italia, për demokracinë e Italisë… megjithëse e vonuar!
Duke më sjellë kjo në mendje “vijat paralele” të keqpërdorimit politik të drejtësisë në Shqipëri sot!