PD e PS, dakordësi për Komisionin e Reformës Zgjedhore

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë arritur dakordësinë për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Sipas burimeve, palët kanë rënë dakord, që komisioni të përbëhet nga grupet parlamentare, siç ka qenë traditë, dhe parti jo parlamentare. Konkretisht komisioni për reformën zgjedhore do të ketë 8 anëtarë nga maxhoranca dhe 8 anëtarë nga opozita.

Në grupin e PS, do të jenë, 7 anëtarë të PS + 1 PSD, dhe në opozitë, 5 PD, 1 PR, 1 PL, dhe Agron Shehaj.

Burimet thonë se PSD e Tom Doshit, do të marrë një vend në radhët e anëtarëve të PS, ndërsa Agron Shehaj, do të marrë një vend ndër radhët e PD-së.
Kjo formulë është zgjedhur si më e mira për të përfaqësuar grupet parlamentare dhe partitë e vogla.

Jashtë Komisionit të Reformës Zgjedhore, sipas kësaj formule mbetet Partia Shqipëria Bëhet e Lapajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Ngritja e Komisionit të Reformës Zgjedhore pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë javën e ardhshme.