Studimi i ri zbulon ushtrimin më të mirë për dhimbjen e artrozës së gjurit
Një studim i botuar në The BMJ tregon se ushtrimet aerobike, si ecja, çiklizmi ose noti, janë mënyra më efektive për të përmirësuar dhimbjen, lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetës tek personat me artrozë të gjurit. Ekspertët theksojnë se edhe ushtrimet e tjera mund të jenë të dobishme si pjesë e një plani të gjerë trajtimi, por ato nuk duhet të zëvendësojnë aktivitetin aerobik si qasje kryesore.
Artroza ndodh kur indi kërcor që zbut nyjet konsumohet, duke shkaktuar dhimbje, ënjtje dhe kufizim lëvizjeje. Gjunjët janë më të prekurit, dhe rreth 30% e të rriturve mbi 45 vjeç tregojnë shenja të artrozës në radiografi; gjysma e tyre vuajnë nga dhimbje të forta.
Për të zbuluar se cilat ushtrime ndihmojnë më shumë, studiuesit analizuan 217 prova të rastësishme të kryera nga viti 1990 deri në 2024 me 15,684 pjesëmarrës. Ata krahasuan gjashtë lloje ushtrimesh: ushtrime aerobike, fleksibiliteti, forcimi muskulor, mendje-trup, neuromotorike dhe të kombinuara, me një grup kontrolli.
Rezultatet treguan se ushtrimet aerobike dhanë përmirësimet më të qëndrueshme në të gjitha rezultatet e vlerësuara, dhimbje, funksion, ecje dhe cilësi jete, në periudha afatshkurtra (4 javë), afatmesme (12 javë) dhe afatgjata (24 javë). Ato ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes në afat të shkurtër e të mesëm dhe përmirësojnë ndjeshëm funksionin dhe performancën e ecjes.
Ushtrimet mendje-trup përmirësuan funksionin në periudhë të shkurtër, ndërsa ato neuromotorike ndikuan pozitivisht në mënyrën e ecjes. Ushtrimet e forcimit muskulor dhe ato të kombinuara patën rezultate të mira në afatmesëm.
Asnjëra nga llojet e ushtrimeve nuk shkaktoi më shumë efekte anësore se grupi kontroll, duke treguar se terapia me ushtrime është e sigurt.
Autorët pranojnë disa kufizime, si mungesë të dhënash afatgjata, por theksojnë se rezultatet ofrojnë provën më të plotë deri tani për efektet e ushtrimeve tek artroza e gjurit. Ata rekomandojnë aktivitetin aerobik si ndërhyrjen e parë për trajtimin e artrozës, dhe në rastet kur ai nuk është i mundur, sugjerojnë forma të tjera të ushtrimeve të strukturuara. /Scitech Daily - Syri.net