Vrasja e Hekuran Cumanit/ Një 21-vjeçar akuzohet për krimin tronditës, shqiptari mbrojti vëllanë e tij
Nga Talita Frezzi, Corriere Adriatico
Hekuran Cumani, 23-vjeçari me origjinë shqiptare që banonte në Fabriano të Italisë, u vra me thikë pas goditjeve në fyt dhe kraharor të shtunën rreth orës 4:40 në parkingun e Departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Peruxhias. Në atë vend kishte shpërthyer një përleshje e dhunshme mes grupit të Hekuranit dhe vëllait të tij dhe një grupi afrikanoveriorësh.
Pika e kthesës
Dje pasdite, Prokuroria e Peruxhias regjistroi si të dyshuar, me akuzën e vrasjes me dashje, një 21-vjeçar marokeno-italian i gjeneratës së dytë, që banon në Ponte San Giovanni. Ai ishte njëri nga ata, që gjatë 48 orëve para ngritjes së akuzës, i ishte nënshtruar një kontrolli në shtëpi nga Njësia Mobile: hetuesit sekuestruan në banesën e tij celularin, rrobat dhe materiale të tjera me interes hetimor. Thika, e konsideruar arma e krimit, nuk është gjetur dhe mungon ende. Vendimi, i firmosur nga prokurorja Gemma Miliani, përgjegjëse për dosjen, erdhi pesë ditë pas krimit, i cili ndodhi jashtë lokalit “100Dieci Cafè” gjatë përleshjes mes grupit të Hekuranit dhe disa afrikanoveriorëve, disa prej të cilëve tashmë të njohur për policinë.
Personi do të intervistohet pa masë arresti, pasi për momentin nuk janë kërkuar masa parandaluese. Sipas akuzës, mund të jetë ai që ka goditur me thikë Hekuranin, i cili ndërhyri për të mbrojtur vëllanë Samuele, i cili ishte plagosur me dy goditje thike në kofshë. Regjistrimi si i dyshuar i lejon atij të emërojë një konsulent teknik që do të marrë pjesë në autopsi, e cila është planifikuar sot në ora 11 në morgun e spitalit të Peruxhias.
Ekzaminimi i autopsisë pritet të sqarojë se çfarë tipi thike vrau Hekuranin, një konstatim i rëndësishëm, duke pasur parasysh se në përleshje dolën të paktën dy (ndoshta tre) thika. Vetëm njëra është rikuperuar, e gjetur te njëri nga katër të dyshuarit për krime të vogla (kërcënime, lëndime dhe mbajtje arme për sulm), një 18-vjeçar italo-marokan që kishte marrë një thikë kuzhine, më pas e gjetur pa gjurmë gjaku.
Të përfshirët
Janë të dyshuar edhe e dashura e tij, një italiane, dhe një roje i lokalit “100Dieci”, të cilit i është dërguar një njoftim për akuzën e lëndimit trupor, por pozita e tij është ende në hetim. Edhe grupi i fabrianesëve (nëntë djem) është i dyshuar për krimin e përleshjes. Ndërkohë, lokali ka njoftuar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve natën në respekt të familjes së Hekuranit. Hetimet tani janë fokusuar në analizën e celularëve të sekuestruar dhe klonuar nga ekspertët e Kabinetit Shkencor të Policisë: në ato biseda mund të fshihet motivi i një vrasjeje kaq të egër dhe absurde.