'Lidhja krim-politikë', Bushkolaj: Shqipëria, një rreth i ngushtë që pasurohet përmes krimit dhe pushtetit
I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", gazetari Elkjert Bushkolaj foli mbi lidhjen e thelluar mes krimit dhe politikës në Shqipëri, ku u shpreh se vendi është sot i kapur nga një skemë kriminale që pasurohet përmes lejeve ndërtimore, pronave të tjetërsuara dhe studieve të arkitekturës.
Ai theksoi se shumë nga eksponentët e botës së krimit jo vetëm janë të lirë, por kanë akses të drejtpërdrejtë në vendimmarrje dhe në ekonomi, ndërsa sipërmarrja e ndershme është drejt shkatërrimit.
Sipas tij, kjo është një strategji e qëllimshme për t’i lënë hapësirë krimit të organizuar, që sot bashkëpunon me kartele ndërkombëtare, përfshirë Ndraghetën dhe rrjete nga Amerika Latine.
Bushkolaj paralajmëroi se partnerët ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të shqetësuar, ndërsa paralajmëroi se sekuestrimi i pronave të paligjshme do të jetë faza e radhës në këtë betejë.
Pjesë nga deklarata:
Duhet kuptuar se si është qeverisur vendi përgjatë 35 viteve, për të kuptuar se deri në çfarë faze ka agravuar lidhja krim–politikë. Nëse Shqipëria ka një sukses në raport me luftën kundër krimit të organizuar, ka dy momente: pas vitit 1997, kur u asgjësuan bandat kriminale që terrorizonin rrugët, dhe e dyta është nga 2005–2010, kur pati një sukses real në luftën kundër grupeve kriminale, qoftë me ndalimin e tyre, qoftë me burgime të përjetshme edhe pse shumë prej atyre personazheve sot janë të lirë dhe aktivë.
Problemi është te aksesi që u jepet atyre. Ne lexojmë dosjet çdo ditë, dhe në një dosje shprehej qartë: “Kemi marrë një tokë në Kepin e Rodonit përmes tjetërsimit dhe po pretendojmë të nxjerrim një leje ndërtimi për një resort dhe kemi rënë dakord me të gatshmin. Kemi folur edhe me arkitektin, dhe arkitekti është një nga ata arkitektët turq që mori pjesë në atë samitin e arkitekturës në Tiranë.”
Ne e kemi të qartë skemën dhe se si funksionon. Në këtë histori, unë e kam të qartë që edhe vetë shumë personazhe të grupeve kriminale kanë rënë pre e kësaj skeme, ku në perceptimin tim ka fitues vetëm një njeri dhe rrethin e tij të ngushtë, të cilët përfitojnë miliona euro. Përfitojnë miliona euro nëpërmjet zbardhjes së lejeve të ndërtimit, fitojnë miliona euro nga studiot e arkitekturës.
Sado që SPAK, prokuroritë, drejtësia apo bankat e nivelit të dytë përpiqen të ndihmojnë, partnerët ndërkombëtarë vijojnë luftën pa ndërprerje në këtë drejtim, dhe nuk do të jetë e largët dita që, me këto ritme, ku SPAK apo institucionet të vijnë këtu, sepse është ngritur edhe çështja e sekuestrimit të pronave. Kanë ngritur pretendime belgët, nesër do ta ngrenë edhe italianët, grekët…
Qartazi ka një strategji për t’i lënë hapësirë krimit të organizuar, por kjo ka vrarë sipërmarrësin. Një sipërmarrës i ndershëm e ka të pamundur të mbijetojë në treg. Janë qindra fasoneri që punësojnë rreth 80 mijë gra dhe që janë në prag të falimentit. Janë qindra objekte, hotele, bare, restorante që janë në prag falimentimi. Kjo rritje e kostos së jetesës ka një emërues të përbashkët.
Nuk ka një nënë që do ta çojë fëmijën e saj të shkojë shtëpi bari, apo një grua bashkëshortin, sepse të gjithë e kemi parë si është fundi. Janë një seri ngjarjesh kriminale që kanë tmerruar këtë vend dhe të vetmit njerëz që përfitojnë janë krerët e karteleve. Sepse nuk janë vetëm shqiptarët ke Ndranghetën të përfshirë, ke kartelet serbe. Pas vizitës së Dumanit në DASH, ai vizitoi edhe Serbinë.
Pra, njerëz që kanë kryer masakra dhe trafik në Amerikën Latine përdorin Shqipërinë për t’u pasuruar. Nuk ka faj populli.