'Krimi kërkon pushtet dhe pushteti sot po ia hap dyert', Hamataj: Sot nuk jemi të kriminalizuar vetëm me vepra, por edhe me mendësi!
Avokati Ermal Hamataj, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, ka komentuar fenomenin e qëndrimit të personave të kërkuar nga drejtësia në Dubai, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për të njëjtën kategori kriminale me ata që kanë pasuri të mëdha dhe që e përdorin krimin për të infiltruar politikën.
Sipas Hamatajt, është krijuar një perceptim i gabuar publik se të gjithë të pasurit që qëndrojnë në Dubai janë pjesë e të njëjtës skemë kriminale, ndërkohë që ai thekson se të kërkuarit për vepra penale ndaj jetës dhe personit janë ata që realisht fshihen atje. Ndërsa sipërmarrësit apo individët me qindra miliona euro pasuri, shpesh kanë qëndrim në vende ku kalon apo qarkullon paraja, pa qenë të lidhur domosdoshmërisht me Dubain.
Avokati ndalet më tej edhe te pastrimi i parave në Shqipëri dhe lidhja e tij me politikën, duke e quajtur të rrezikshme tentativën për të ngjyrosur këtë fenomen me përkatësi politike.
Sipas tij, krimi nuk njeh parti politike, por synon të depërtojë në çdo qeverisje për të krijuar rrugë të pastrimit të parave dhe ndikimi institucional.
Duke analizuar një aspekt më të thellë shoqëror, Hamataj thekson se problemi më i madh është “kriminalizimi në mendësi”, ku një pjesë e madhe e shoqërisë i sheh kriminelët si të zotë, të suksesshëm dhe të admirueshëm, vetëm sepse kanë para.
“Nuk bëjmë vepra penale, por e pranojmë dhe admirojmë kriminelin. Kjo është kriminalizimi real, më i rrezikshmi,” – u shpreh Hamataj në studio.
Ermal Hamataj:
"Unë kam përshtypjen se nuk duhet të ngatërrohemi. Ata persona që gjejnë strehim në Dubai i përkasin një tjetër kategorie krimi.
Ata që investojnë me qindra milionë euro nuk kanë pse të qëndrojnë në Dubai, absolutisht. Është kthyer ky Dubai si fenomen, por po ju bie "piaca" edhe atyre që qëndrojnë atje.
Kryesisht në Dubai qëndrojnë ata që janë të kërkuar për vrasje, ose për veprime kriminale që kanë të bëjnë kundër jetës apo kundër personit. Persona që kanë këtë sasi të madhe parash, absolutisht nuk kanë përse të qëndrojnë në Dubai, absolutisht nuk kanë pse të qëndrojnë as në Shqipëri.
Ata mund të qëndrojnë në vende ku vjen apo shkon paraja, se tani nuk po merret vesh edhe fakti që në Shqipëri po vjen vetëm lëndë narkotike apo po vijnë edhe para.
Kjo pjesë, në fakt, duhet ta dini që shumë ngarkesa që po qarkullojnë në Europë mund të ndodhë që paratë edhe nga Shqipëria të udhëtojnë drejt vendeve të treta.
Unë i dëgjova të dy parafolësit që mundohen të lidhin këtë pasuri politike me ngjyrat politike. Unë mendoj se nuk ka ngjyrime politike një person apo një kriminel që zotëron qindra miliona euro pasuri.
Kam përshtypjen se krimi atë ka për qëllim qoftë në këtë status politik ku jemi, apo kur një parti tjetër të jetë në pushtet. Detyra e krimit është të gjejë kanalet dhe të përçojë pjesën politike apo udhëheqëse të një shteti për pastrimin e parave.
Problemi është se ne jemi kriminalizuar në mendësi, në shoqëri jo se bëjmë vepra penale, por sepse ne e marrim kriminelin si një njeri të mirë, të zotin, e "rroftë" se po bën lekë. Këtu është kriminalizuar kjo gjë, të cilën unë e shikoj si shumë të rrezikshme".