Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendos sot nëse Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) do të vendosë të mërkurën, nëse Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me një bllokadë mujore të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës.

Gjyqtarët në gjykatën e lartë të OKB-së do të ofrojnë gjithashtu, një vlerësim të sulmeve izraelite ndaj stafit dhe objekteve të Kombeve të Bashkuara në Rripin e Gazës.

Izraeli ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke e justifikuar bllokadën duke thënë se grupi islamist Hamas kishte kapur dërgesat e ndihmës dhe i kishte shitur mallrat me çmime të fryra. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për qëndrimin e Izraelit.

GJND-ja po lëshon një mendim këshillimor ligjor, i cili nuk është detyrues, por mund të rrisë presionin mbi Izraelin për të bashkëpunuar me OKB-në dhe për të lejuar më shumë ndihmë humanitare në Gaza.

Ky do të jetë vendimi i tretë i gjykatës mbi veprimet e Izraelit, që nga shpërthimi i luftës në Gaza pak më shumë se dy vjet më parë.

Në korrik të vitit të kaluar, gjykata në Hagë, Holandë, vendosi që pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli ishte i paligjshëm. Më parë, në një rast gjenocidi, GJND-ja i kishte urdhëruar Izraelit të merrte të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar gjenocidin në Gaza.

Mendimi këshillimor u kërkua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Gjyqtarët do të trajtojnë gjithashtu nëse Izraeli është i detyruar të bashkëpunojë me Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA)./ DPA News.