Administrata publike në shërbim të PS/ Këlliçi përballë komisioneres Strakosha: Mospërgjegjshmëri…
Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka rrëfyer detaje nga përballja në Komisionin e Ligjeve me Komisioneren për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha, duke e akuzuar atë dhe institucionet shtetërore për mospërgjegjshmëri dhe mbyllje të syve përballë politizimit flagrant të administratës.
I ftuar në A Show me Adi Krastën në SYRI TV, Këlliçi solli raste konkrete të shkeljes së ligjit për nëpunësin civil.
“I tregova Komisioneres foton e ministrit të Drejtësisë me katër drejtorë të përgjithshëm të Arsimit në një takim elektoral. Përgjigjja e saj ishte se nuk dinte gjë. I përmenda rastin e drejtoreshës së Inovacionit e kapur në një zyrë patronazhimi më 11 Maj, e cila iku me vrap. Sërish, përgjigjja ishte se e dëgjonte për herë të parë,” tha Këlliçi.
Ai e quajti sjelljen e zyrtarëve të lartë si një shfaqje ku ata ose “vuajnë nga amnezia” ose janë “aktorë të shkëlqyer”.
Deputeti i PD-së premtoi se opozita nuk do të ndalet dhe do t'i ndjekë të gjitha këto raste me shkresa dhe procedura zyrtare, për të vënë përpara përgjegjësisë ata që përdorin administratën publike për interesa partiake.
Intervista në studio:
Këlliçi: Por ne do ta ndjekim edhe këtë çështje dhe me të gjithë. Dhe mirë atë, unë ja thashë, i nxora foton, i kërkova ta verifikojë në moment se mbase nuk po them unë të vërtetën. Madje i kërkova dhe tjetrën, mjafton të hynin dhe të shihnin kush kanë komentuar dhe janë të gjithë punonjës të administratës publike dhe ata që komentojnë. I lexova nenin 37 për përkatësinë politike, pikën dy që i ndalon përfshirjen në organizma vendimmarrës të partive politike apo në funksione drejtuese në parti politike. Bënte sikur, ja do ta verifikojmë, do ta shohim. Pastaj kur i dola tek incidenti i 11 majit ke komuna e Parisit, ke rruga Marko Boçari, ku vetë kam qenë përballë me Erion Braçen, kur gjetëm një zyrë elektorale të padeklaruar, ku brenda në zyrë ishte drejtoresha kombëtare e inovacionit dhe ekselencës, një Imeraj në mos gaboj ishte mbiemri, e pyeta, më fal çfarë kërkon aty?
Krasta: Zonja që u largua me vrap në një farë...
Këlliçi: Që iku me vrap dhe i thashë, më fal për çfarë, nëse nuk po shkelte ligjin për çfarë iku me vrap dhe e dyta, çfarë do drejtoresha e ekselencës dhe e kërkimit shkencor atë ditë në atë rrethanë...
Krasta: Në një zyrë patronazhimi.
Këlliçi: Me lista duke telefonuar qytetarët, çfarë do titullarja kryesore e një institucioni kaq elitar, se në fund të ditës po flasim për nivel elite. Pra një njeri që do duhej të kishte zë nga politika, do duhej t'i qëndronte sa më larg, do duhej të mbetej vetëm në nivel teknik dhe profesional. Zero përgjigje. Nuk e kam parë thashë hera e parë që e dëgjoj. Ndërkohë gjatë gjithë kohës përmendej fakti që këta kishin rreth 16 raportues që mbikqyrnin institucionet, mbikqyrnin proceset dhe nuk i vinte kurrë asnjë shqetësim. U pyet për listat, u pyet për patronazhimin, nuk i dëgjonte, nuk i di, ishte hera e parë që i dëgjonin këto. Ndërkohë raporti i OSBE-ODIHR-it parapraku i përmend të gjitha të zezë mbi të bardhë.
Krasta: Ka një folloë up kjo? Domethënë, zonja Strakosha erdhi, nuk dinte ose s'donte të dinte, ju i thatë, ajo dha përgjigje, pastaj çfarë ndodh?
Këlliçi: Do ndiqet çështja me të gjitha dokumentat zyrtare që do t'i, do t'i drejtojmë dhe me shkresa zyrtare, se këto kanë një, një kleçkë Adi kur vijnë aty. Këto thonë që shiko, ma sill me shkrim, je deputet dhe brenda 10 ditësh do të kthej përgjigje dhe harrohen. Nuk të kthejnë përgjigje apo të kthejnë një përgjigje të vakët private.