VIDEO/ Nuri: Arrestimi i avokatit në Elbasan, rast ekstrem i dhunës së sistemit të drejtësisë

Avokati Franc Nuri ishte i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ku foli për krizën e thellë që, sipas tij, ka përfshirë sistemin e drejtësisë pas reformës së drejtësisë të bërë nga Soros dhe Rama.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Nuri e cilësoi rastin e arrestimit të avokatit në Elbasan si ekstrem dhe tha se avokatët përballen çdo ditë me dhunën e sistemit.

‘Arrestimi i avokatit në Elbasan ishte tepër i rëndë. Unë jam vetë avokat, dhe të gjithë avokatët u solidarizuan me rastin. Patjetër që është edhe vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotin e proceseve penale, jo civile. Dhe nga ana tjetër pati një solidarizim të të gjithë avokatëve dhe juristëve.’

Sipas tij, rasti u bë publik për shkak se u ndoq drejtpërdrejt nga publiku në sallën e gjyqit.

‘Është një rast ku gjithë publiku pati mundësinë ta dëgjojë në sallën e gjyqit. Kjo tregon një arrogancë të jashtëzakonshme që pushteti dhe forca e ligjit i jep prokurorisë në rastin konkret. Dhe nuk është rasti i parë fatkeqësisht. Është rasti i parë që bëhet kaq mediatike dhe publike. Por avokatët e përjetojnë këtë në përditshmërinë e tyre. E përjetojnë këtë dhunë të sistemit ndaj tyre, që përkthehet tek avokatët, sepse ai përfaqëson klientin. Tek e fundit është një dhunë e sistemit ndaj qytetarëve dhe është rritur ekstremisht.’

Nuri kujtoi se varësia e gjykatave nga prokuroria është bërë tashmë një fenomen i njohur në praktikë.

 ‘Ju e mbani mend shprehjen e famshme që ‘afërmendsh, çfarë kërkon prokuroria, vendos gjykata’ dhe pikërisht kjo është implementuar edhe në rastin e Elbasanit. Dhe prokurori në atë shkëmbim verbal i thotë avokatit që do të arrestohesh dhe ajo ndodhi. Të nesërmen u arrestua avokati.’

Avokati theksoi se kjo situatë është tregues i gjendjes dramatike në të cilën ndodhet drejtësia shqiptare pas reformës që, sipas tij, ka shkatërruar ekuilibrat institucionalë dhe ka përqendruar pushtetin në duart e ekzekutivit.