LDK përjashton koalicionin me VV-në: Nuk ka bashkëqeverisje me Kurtin, njeriun që s’i beson as vetes

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në nivel qendror.

Në një bisedë për Syri Televizion, Muhaxheri tha se LDK-ja po pret edhe dy ditë për të parë nëse Albin Kurti do të arrijë të formojë qeverinë, pasi – sipas tij – “siç duket, nuk i ka numrat”.

“Ne do të presim edhe pak, por nëse nuk ka shumicë, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja. Mundësia për zgjedhje të parakohshme kombëtare është më reale se kurrë,” tha Muhaxheri.

Ai shtoi se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie të udhëhequr nga Kurtit, duke e cilësuar kryeministrin në detyrë si njeri që “nuk i beson as vetes, e lëre më partnerëve politikë”.

Deklarata e Muhaxherit vjen në një moment kur negociatat për krijimin e qeverisë së re kanë hyrë në ngërç, ndërsa presioni për ndërtimin e një shumice parlamentare po rritet nga të gjitha anët politike.