SYRI TV/ Precedenti në Elbasan, Maksim Haxhia paralajmëron bojkot një muaj: Reforma në Drejtësi ka nevojë për rishikim

Ndonëse avokati Ulian Bajrami u lirua, gjykatat do të vijojnë të mbeten në kolaps sa i takon gjyqeve, për shkak se bojkoti i avokatëve do të vijojë. Kreu i dhomës së avokatisë Maksim Haxhia ka mbrojtur vendimin e tij për të pezulluar për 5 ditë seancat. Ai paralajmëroi se nëse një rast i tillë përsëritet bojkoti  avokatëve do të jetë për muaj me radhë. Reforma në drejtësi sipas Haxhisë ka nevojë për një rishikim tërësor. Ndërkohë, kreu i Dhomës së Avokatisë të Elbasanit Demir Çiftja deklaroi se përbuzja e avokatëve prej kohësh është bërë rutinë nga prokurorët dhe gjyqtarët e Elbasanit. Lidhur me ngjarjen që shkaktoi bojkotin, ILD dhe Prokuroria kanë nisur veprimet këtë të martë.

Syri TV

Kështu është shprehur kreu i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia gjatë një prononcimi për mediat, në ditën e dytë të bojkotit të seancave gjyqësore nga avokatët. Teksa bojkoti 5 ditor kishte shkak arrestimin e avokatit Ulian Bajrami, pas një përplasje me prokurorin Gjergji Ceka gjatë një seance për caktim mase sigurie, pavarësisht lirimit të juristit, Haxhia tha se greva do vijojë. Ai u shpreh se reforma në drejtësi ka nevojë për një rishikim tërësor sa i përket organeve drejtuese si KLGJ, KLP  dhe ILD.

Nga Elbasani, kreu i Dhomës së Avokatisë në këtë qark Demir Çiftja deklaroi se përbuzja e avokatëve prej kohësh është bërë rutinë nga prokurorët dhe gjyqtarët.

E teksa avokatët kanë ankesa për sistemin e drejtësisë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë pranoi vetëm këtë të martë se ka çuar inspektor në Elbasan për të dokumentuar atë që ka ndodhur. Ndërkohë, pas disa ditësh, edhe Prokuroria e Elbasanit konfirmoi se ka shpallur moskompetencë dhe I ka referuar materialet e kësaj çështje në Prokurorinë e Tiranës të hetojë, pasi ka konflikt interesi. Dhoma e Avokatisë insistoi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe se Prokuroria e Elbasanit kishte qenë paralelisht në dy funksionem, atë të viktimës së pretenduar të veprës penale, por edhe të organit hetues, çfarë ndesh sipas juristëve në papajtueshmëri ligjore.