Spahia kundër titullit 'Qytetar Nderi' për Gjergj Velon: Nderimi i xhelatëve, fyerje për viktimat e komunizmit
Në një postim në Facebook, deputeti i PD-së, Bardh Spahia, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për të shpallur “Qytetar Nderi” persekutorin komunist Gjergj Velo në Lushnje.
Sipas tij, ky është një akt që poshtëron qytetin dhe viktimat e regjimit diktatorial. Spahia thekson se nderimi i persekutorëve është një fyerje ndaj historisë dhe kujtesës së vuajtjeve të shqiptarëve.
Ai bën thirrje për drejtësi dhe të vërtetë, jo për harresë dhe glorifikim të krimeve të diktaturës. Shqipëria, thotë ai, nuk mund të ndërtohet mbi përmbysjen e vlerave.
Postimi:
Shpallja "Qytetar Nderi" i persekutorit injorant e barbar, Gjergj Velo, në Lushnje, një tentativë të ç'nderojë një qytet dhe mbarë shoqërinë.
Nëse një shoqëri fillon të nderojë persekutorët e djeshëm, ajo shkel mbi viktimat e saj. Glorifikimi i figurave të regjimit komunist nuk është kujtesë historike, është fyerje ndaj çdo njeriu të pushkatuar, të torturuar, persekutuar apo internuar për liri. Është një ofendim për çdo viktimë të djeshme por dhe për çdo njeri të lirë sot!
Një komb që ngre në piedestal kriminelët e vet politikë, rrezikon të humbasë shpirtin dhe dinjitetin.
Le ta themi qartë: nuk ka paqe me të kaluarën pa drejtësi. Nuk ka pajtim pa pendesë, nuk ka të ardhme të lirë pa e thënë të vërtetën për krimet e diktaturës.
Respekt dhe mirënjohje përjetë për viktimat, përbuzje për persekutorët. Shqipëria nuk ndërtohet mbi harresë, por mbi kujtesë dhe të vërtetën.