SYRI TV/ Florjan Binaj takim me koordinatorët politik: Takim i frytshëm, koordinim i mirë

Florjan Binaj, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita për Bashkinë e Tiranës, zhvilloi një takim me koordinatorët e partive politike për zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në kryeqytet.

Në një prononcim për mediat, Binaj e cilësoi takimin të frytshëm, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen pa dallime partiake. Ai tha se bashkimi aktual i opozitës rreth kandidaturës së tij është tregues i fitores, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të publikohet edhe platforma për drejtimin e Bashkisë, e cila po punohet me një ekip jopartiak.

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, zhvilloi një takim me përfaqësuesit dhe koordinatorët e partive të opozitës, për zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në bashkinë më të madhe të vendit. Kjo është dalja e parë publike e Florjan Binajt pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij, e cila u mbështet gjerësisht nga spektri opozitar.

Në prononcimin për mediat, Binaj tha se takimi ishte i frytshëm dhe do të shërbejë për një koordinim më të mirë.

I pyetur nëse është kandidat i Partisë Demokratike, Binaj ironizoi duke theksuar se, në këtë optikë, ai do të cilësohej si kandidat i çdo partie që e mbështet.

Sa i takon platformës së tij për drejtimin e Tiranës, Binaj tha se po punon me një ekip jopartiak, dhe se ajo do të bëhet publike së shpejti.

Binaj u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen pa dallime partiake.

Teksa shprehu optimizëm për rezultatin, Binaj e cilësoi bashkimin aktual të opozitës rreth kandidaturës së tij si një “tregues të jashtëzakonshëm të asaj që pritet të ndodhë”.