Rriten ndjeshëm shitjet e Biblës pas vrasjes së Charlie Kirk-ut

Shitjet e Biblës janë rritur me mbi një të tretën pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, tregojnë të dhënat.

Sipas Circana BookScan, në shtator u shitën rreth 2.4 milionë kopje të Biblës, një rritje prej 36% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, duke e bërë atë muajin më të suksesshëm të vitit.

"Ngjarjet e trazuara të shtatorit, dhuna, tensionet gjeopolitike dhe pasiguria ekonomike, tregojnë se në kohë krize, njerëzit kthehen drejt besimit për ngushëllim," tha analistja Brenna Connor për The Wall Street Journal.

Rritja e shitjeve shihet si pjesë e një "zgjimi fetar" që lidhet me vrasjen e Kirk-ut, i cili u qëllua për vdekje me 10 shtator gjatë një ligjërate në Utah Valley University. Edhe pse shitjet totale të librave në SHBA ranë me 1% këtë vit, shitjet e Biblës u rritën me 11%.

Mark Schoenwald, drejtues i HarperCollins Christian Publishing, tha se vdekja e Kirk-ut "zgjoi shumë njerëz" që nisën të mendojnë për besimin e tyre, sidomos të rinjtë 18–34 vjeç.

James Borrero, pronar i një librarie të krishterë në New Jersey, tha: "Që nga atentati ndaj Kirk-ut, njerëzit po blejnë më shumë Bibla dhe produkte fetare. Edhe ata që nuk e njihnin atë janë prekur nga vdekja e tij."

Kirk, që në moshën 18-vjeçare themeloi organizatën konservatore Turning Point USA, u bë figurë kryesore në politikën republikane. Me 14 tetor, Donald Trump e nderoi pas vdekjes me Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Gjatë ceremonisë përkujtimore në Arizona, e veja e tij, Erika Kirk, tha se vdekja e bashkëshortit kishte nxitur një "ringjallje shpirtërore": "Pamë njerëz që lexuan Biblën për herë të parë pas shumë vitesh dhe që u kthyen në kishë."

Në ceremoni morën pjesë mbi 90 mijë persona, ndërsa miliona të tjerë e ndoqën online. Kishat në të gjithë vendin raportuan rritje të ndjeshme të frekuentimit, një fenomen që pastorët e quajtën "efekti Charlie Kirk".

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se është ende herët për të thënë nëse ky zgjim fetar në Amerikë do të zgjasë. / The Telegraph - Syri.net