'Investimi prej 3.4 milionë eurosh në bulevardin e Vlorës në ngërç'/ Qytetarët: Premtuan transformim, sollën kaos!

Punimet për projektin e Bulevardit të Palmave dhe Agrumeve, një ndër hyrjet kryesore drejt qytetit të Vlorës, janë ndalur ose po ecin me ritëm të ngadalshëm.

Qytetarët shprehen të zhgënjyer, duke ngritur shqetësime për cilësinë e punës dhe për faktin se shumë nga palmat e mbjella janë tharë, ndërsa rruga është ngushtuar ndjeshëm, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e përditshëm.

“Punimet nuk po ecin fare. Palmat janë tharë dhe rruga është bërë shumë e ngushtë. Vetëm zhurmë dhe pluhur ka,” shprehet një banor i zonës, i cili thekson se ndërhyrjet kanë krijuar më shumë probleme sesa zgjidhje.

Projekti, me një vlerë rreth 3.4 milionë euro, është pjesë e programit kombëtar për rigjenerimin e hapësirave publike, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ai shtrihet pranë shkollës “Halim Xhelo” dhe synon të krijojë një korridor të ri që lidhet me bulevardin kryesor “Ismail Qemali” dhe më tej me Sheshin e Flamurit.

Megjithatë, sipas qytetarëve dhe bizneseve pranë segmentit, punimet janë zvarritur pa një arsye të qartë. Mungesa e ecurisë në terren ka ngritur dyshime për mënyrën se si po menaxhohet investimi dhe për cilësinë e materialeve të përdorura.

Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa që fondet publike të mos shpërdorohen dhe që projekti të përfundojë sipas afateve dhe standardeve të premtuara.