'Protesta te Onkologjiku', Aktivistja: Nuk keni shpërdoruar vetëm detyrën. Ju jeni bashkëpunëtorë në vrasjen e pacientëve
Gjatë protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Shëndetësisë, në mbështetje të pacientëve onkologjikë dhe në reagim ndaj krizës së thelluar në sistemin publik shëndetësor, aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti një fjalë të fortë, emocionale dhe të drejtpërdrejtë.
E rikthyer për herë të dytë brenda një viti në të njëjtin vend, ajo dëshmoi me dëshpërim se situata në spitalin onkologjik jo vetëm që nuk ka njohur përmirësim, por vijon të jetë alarmante dhe çnjerëzore për mijëra pacientë që vuajnë nga kanceri.
Me tone të ashpra dhe një thirrje të qartë për përgjegjësi institucionale, Vatnikaj denoncoi mungesën e barnave jetike, aparaturave diagnostike dhe kushteve minimale për trajtim, duke e quajtur sistemin aktual një "vrasje me neglizhencë", të ushtruar mbi njerëzit më të pambrojtur të shoqërisë. Ajo vuri në qendër të fjalës së saj kontrastin e dhimbshëm mes propagandës qeveritare për shëndetësi “të reformuar” dhe realitetit të dhunshëm që përjetojnë çdo ditë pacientët në Onkologjik.
Duke e kthyer fjalën e saj në një akt të fuqishëm publik ndëshkimi moral dhe politik ndaj autoriteteve përgjegjëse, ajo kërkoi hetim, ndëshkim dhe mbi të gjitha: trajtim dinjitoz për çdo të sëmurë. Më poshtë përmbledhja e pikave kryesore nga fjala e saj.
Pjesë nga deklarata:
"Jemi rikthyer përballë Ministrisë së Shëndetësisë pas një viti dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ndryshimi i vetëm është emri i ministres. Situata në Onkologjik është dramatike: nuk ka ilaçe, nuk ka poltrona, mamografia nuk punon.
Gratë që shohin fushatat për “Tetorin Rozë”, në realitet përballen me një sistem të falimentuar. Shëndeti është kthyer në treg, jo e drejtë njerëzore. Pacientët udhëtojnë nga rrethet, qëndrojnë në radhë, dhe kthehen pa u trajtuar. I thuhet: “S’ka ilaçe, kthehu nesër”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dokumentuar dhjetëra shkelje: barna të skaduara, mungesë pajisjesh, trajtime në kushte çnjerëzore. Shumë pacientë trajtohen nëpër korridore, në stola, jo si njerëz, por si “kafshë në fund të jetës”. Shteti nuk është kujdesur për të sëmurët me kancer. Të mbijetuarit dhe familjarët kërkojnë drejtësi dhe dinjitet.
Spitali publik onkologjik i vetmi në Shqipëri është kthyer në simbolin e neglizhencës totale. Propaganda për reformën në shëndetësi bie ndesh me realitetin. Mosfunksionimi i sistemit nuk është më vetëm neglizhencë është bashkëpunim në krim. Shpërdorimi i detyrës ka bërë që shumë pacientë të humbasin jetën.
Aktivistja kërkon që drejtësia të veprojë ndaj çdo zyrtari përgjegjës – nga kryeministri, ministrat, deri te drejtuesit e QSUT dhe farmaceutikës. Mesazhi final: “Nuk keni shpërdoruar vetëm detyrën. Ju jeni bashkëpunëtorë në vrasjen e pacientëve”.