Nottingham Forest emëron Sean Dyche si trajner të ri pas shkarkimit të Postecoglou
Sean Dyche është trajneri i ri i Nottingham Forest, ka konfirmuar klubi të martën.
Forest përshpejtoi negociatat me trajnerin anglez pasi Ange Postecoglou u shkarkua menjëherë pas humbjes 3–0 ndaj Chelsea-t.
Ish-trajneri i Everton dhe Burnley, i cili në rini ka qenë edhe lojtar i akademisë së Forest, do të drejtojë skuadrën në ndeshjen e Europa League ndaj Portos, të enjten.
Dyche ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2027, duke u bërë trajneri i tretë i Nottingham Forest këtë sezon, pas Postecoglou dhe Nuno Espirito Santo. Ky i fundit ishte shkarkuar pas përplasjeve me pronarin Evangelos Marinakis dhe drejtorin sportiv Edu Gaspar.
Postecoglou, ish-trajneri i Tottenhamit, e mbajti detyrën vetëm 39 ditë, pa asnjë fitore në tetë ndeshje, periudha më e shkurtër e një trajneri të përhershëm në historinë e Premier League.
Pronari Marinakis kishte shqyrtuar edhe kandidatura të tjera, si Roberto Mancini (ish-trajner i Manchester City-t) dhe Marco Silva i Fulhamit, por Dyche doli si opsioni më i favorshëm.
Trajneri 54-vjeçar ka qenë pa punë që nga janari, kur u largua nga Everton pas dy vitesh në stolin e klubit të Goodison Park.
Gjatë periudhës së tij në Everton, ai e mbajti skuadrën në Premier League pavarësisht zbritjes së pikëve për shkelje të rregullave financiare të ligës.
Më herët, Dyche drejtoi Burnley-n për gati dhjetë vjet, duke e kthyer klubin në një skuadër të qëndrueshme të Premier League-s dhe një shembull të stabilitetit në futbollin anglez.