'Shkollat po kthehen në hotele', Pavllo Shkarpa: Berati po braktiset, qyteti po shkatërrohet nga abuzimet e pushtetit

Pavllo Shkarpa, kandidat i pavarur për Bashkinë e Beratit në zgjedhjet e 9 nëntorit, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto, ka dhënë një deklaratë të drejtpërdrejtë ku denoncon braktisjen e qytetit nga pushteti vendor dhe abuzimin me pasuritë publike.

Ai thekson se, ndërsa qyteti ka nevojë për zgjidhje themelore, po bëhen vetëm disa shtrime rrugësh për fasadë. Ndërkohë, lumi Osum është lënë në një gjendje alarmante, ndërsa shkollat publike, sipas tij, po maskohen si projekte rikonstruksioni për t’u kthyer më pas në hotele dhe qendra biznesi, në dëm të komunitetit.

Shkarpa u bën thirrje qytetarëve të votojnë për një ndryshim real, duke u zotuar se në ditën e parë si kryetar do të hapë Bashkinë për qytetarët dhe do të nisë nga ndërtimi i një hyrjeje të re për Beratin një godinë që do ta përfaqësojë qytetin si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Pjesë nga deklarata:

Ndodhem në Berat, në qytetin me 5 emra, qyteti me pasaportën e kulturës. E dua këtë qytet. Ky është motivi që më ka sjellë në Berat. Jam rritur këtu, e dua këtë vend dhe dua t’u tregoj qytetarëve të mi dhe votuesve të mi se partia ime është Berati.

Berati ndodhet ende i paintegruar në infrastrukturën nacionale. Ka problem me unazën e qytetit, me sistemin e lumit Osum probleme madhore, të cilat në programin tonë janë projektuar me dëshirën për të ndërtuar qytetin e Beratit.

Berati në vitin 2008 mori transkriptimin, hipotekën në kulturën universale të njerëzimit mori pasaportë. Sa u shfrytëzua kjo? Nga 2008 deri më 2025 fare! Ose, nëse është shfrytëzuar, le të bëhet transparenca e fondeve të marra nga UNESCO.

PS mban qytetin e Beratit prej 27 vitesh. Është e dhimbshme që për 27 vjet, me këtë pasaportë, duhej të ishte bërë shumë më i bukur. Berati ka vetëm një guidë historike dhe asgjë tjetër. Berati ka tradita, trashëgimi.

Këtu janë bërë ca shtrime rrugësh, por problemet e tjera janë në themele. Këta nuk e njohin Beratin. Gjatë fushatës unë kam denoncuar shumë gjëra. Këtu ka dhimbje, dhe u bëj thirrje qytetarëve të tij që të votojnë Pavllo Shkarpën. Unë do të sjell ndryshimin në këtë qytet.

Problemet janë madhore. E keni parë Osumin që është kthyer në një gropë?! Këtu bëhen investime pa vlerë.

Ditën e parë që do të zgjidhem kryetar, do të hap bashkinë për qytetarët. Gjëja e parë që do të bëj është hyrja e qytetit të Beratit. Një godinë që do të jetë një vepër arti të hysh në Berat do të thotë të hysh në qytetin e UNESCO-s. Ajo do të jetë godina e prezantimit të qytetit.

Për hir të së vërtetës, do të mësoj hallet dhe problemet e qytetarëve të mi. Këtu u janë mbyllur dyert njerëzve. Janë të zhgënjyer. E kam kërkuar kryetarin e bashkisë hajdeni të debatojmë bashkë! I kam kërkuar dhe kryeministrit.

Këtu janë gjëra madhore. Këtu kemi turizëm, por ai turizëm, për inatet e kryeministrit, nuk i jepet leja pronarëve të rregullojnë dhe të zhvillohen.

Këtu ka problem sepse po rregullohen gjoja shkollat, por ato po kthehen në hotele, qendra biznesi. I kanë kthyer në prona private dhe nesër do të thonë se u reduktua numri i nxënësve. Është e tmerrshme!