Sulmi ndaj autobusit, rrëfimi tronditës i tifozëve: U përpoqëm me çdo mënyrë ta shpëtonim Raffaelen
Ata që ishin aty nuk do ta harrojnë lehtë, sepse ato çaste, të frikshme dhe tragjike, do të mbeten gjatë në kujtesën e atyre që panë vdekjen e Raffaele Marianella-s.
“Ishin dy shpërthime në errësirë”, rrëfejnë disa prej tyre për ‘Corriere della Sera’. “E goditën në fytyrë, ishte i shkatërruar”, shtojnë ata.
Në autobusin që sapo ishte nisur nga Rieti dhe u sulmua brutalisht nga disa tifozë, ndodheshin njerëz të zakonshëm, shumë baballarë dhe nëna, që kishin shkuar të ndiqnin një transfertë që duhej të ishte e qetë.
Francesco, një nga dëshmitarët, përpiqet të rindërtojë ngjarjen: “Raffaelen e qëlluan me një bllok betoni.”
Një tjetër dëshmitar tregon për një dëmtim në zonën e trakesë (“Ishte e tmerrshme”) dhe për përpjekjet e menjëhershme të tifozëve në autobus që u munduan ta ndihmonin:
“I bënë masazh kardiak deri në mbërritjen e ambulancës, për gati gjysmë ore, por nuk pati asnjë rezultat, nuk e rifitoi kurrë vetëdijen.”
Ndër njerëzit që u ndalën në rrugë pak pas sulmit, ishte edhe Jazz Johnson, lojtari i Pistoia Basket, ende me bluzën e ekipit. Me kokën ulur, ai bëri shenjën e kryqit para trupit të Marianella-s, i shtrirë në asfalt dhe i mbuluar me një çarçaf.
“Jemi të shokuar,” thonë të gjithë njëzëri, “skena të tmerrshme që na lanë pa fjalë.”
Pa fjalë është edhe Pistoia Basket 2000, që ka pezulluar të gjitha stërvitjet dhe ka shprehur zemërim të thellë për vendimin e Federatës Italiane të Basketbollit për të mos pezulluar kampionatin. Lojtarët, sipas burimeve të klubit, janë shumë të tronditur dhe nuk ndihen gati të kthehen në fushë për ndeshjen e së shtunës ndaj Cremona-s.
Për këtë arsye, nuk përjashtohen masa të forta apo veprime simbolike në shenjë proteste.