Këlliçi ngre alarmin: Drejtësia e kapur po vret shpresën, qytetarët vetëvriten, gjyqtarët kërcënohen, shteti hesht!
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi shprehet se qytetarët po vrasin veten para derës së SPAK, ndërsa gjyqtarët po rrezikojnë jetën brenda sallave të gjyqit teksa japin vendime. Sipas tij, këto nuk janë raste të izoluara, por kambana të forta alarmi që tregojnë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka rënë dhe ka humbur çdo lidhje me realitetin e qytetarëve.
Në postimin e tij, Këlliçi ngre një sërë pyetjesh publike drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke sjellë në vëmendje raste të vetëvrasjeve të lidhura me skemat e mikrokredive, kërcënimet ndaj prokurorëve të SPAK dhe mosreagimin institucional për skandalin e inceneratorëve një aferë që ai e cilëson si simbol të zhvatjes dhe talljes me interesin publik.
Deputeti ngre shqetësimin se, pa përgjigje të qarta dhe masa konkrete nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të ketë as drejtësi reale dhe as një shtet që funksionon për qytetarin, por vetëm një sistem që mbron pushtetin dhe i kthen institucionet në mure të shurdhër ndaj vuajtjes së përditshme të njerëzve.
Postimi:
Qytetarët po vrasin veten para derës së SPAK, e ndërkohë gjyqtarët po vriten brenda sallës së gjyqit teksa japin vendime! Këto janë kambana alarmi për shoqërinë tonë, në të cilën sistemi i drejtësisë ka rënë!
Drejtësia nuk është një koncept steril dhe abstrakt, e mbyllur brenda dyerve të gjykatave dhe e humbur ndër nene e shkronja!
Ajo ka impakt të drejtpërdrejtë, të prekshëm dhe të përditshëm në punën, të drejtën, jetën e qytetarëve.
Në këtë kontekst i shtrova institucionit të KLP pyetje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.
Së pari në lidhje me vetëvrasjet e të ndjerëve Pal Trashaj dhe Olsi Ibro dhe tentim vetëvrasjen me benzinë të një zonje nga Durrësi, të gjitha të lidhura me skema të ndryshme të vjedhjeve përmes mikrokredive në vend.
Së dyti, mbi presionin e papredecentë të dëshmuar nga prokurorët e SPAK, të cilët dëshmuan në kuvend për kërcënime ndaj truprojave të tyre e vetë atyre personalisht dhe heshtje kur kërkuan mbrojtje nga Garda e Republikës.
Së treti mbi aferën e pakrahasueshme për nga përmasat e zhvatjes dhe pafytyrësia e talljes. Aferën e inceneratorëve, të cilët në rastin e Tiranës janë madje inekzistentë, e ku afatet janë tejkaluar tashmë prej 5 vitesh.
A ka KLP një reagim për raste të tilla të rënda të cënimit të sigurisë juridike dhe interesit publik?!
A merr ky institucion masa, të përkthyera në vendimmarrje mbi prokurorët nën kontrollin e tij, për të shtuar besimin e qytetarëve tek drejtësia?!
Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, vështirë se mund të flasim për marrëdhënie të shëndetshme të qytetarit me shtetin dhe jo për sundim të pushtetit ekzekutiv, shpërfillje në rastin më të mirë apo abuzim, dëbim dhe shkatërrim të jetës e pronës në rastin më të keq.