Joe Biden përfundon radioterapinë për kancerin e prostatës
Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili mbush 83 vjeç muajin e ardhshëm, ka përfunduar me sukses një cikël radioterapie për të trajtuar një formë agresive të kancerit të prostatës. Lajmi u raportua nga CBS News, duke cituar zëdhënësen e tij, Kelly Scully.
Sipas Scully, Biden iu nënshtrua disa javësh trajtim në Qendrën e Onkologjisë me Radiacion të Penn Medicine në Filadelfia.
New York Post raportoi të dielën se Biden bëri paraqitjen e tij të parë publike që prej fillimit të trajtimit. Ish-presidenti u diagnostikua më 18 maj me një formë agresive të kancerit të prostatës, i cili kishte përhapje (metastaza) në kocka.
Pavarësisht sfidave shëndetësore, Biden vijon të jetë aktiv në jetën publike. Ai është parë herë pas here në Uashington, ku mban ende një zyrë, si dhe duke udhëtuar me trenin Amtrak për në dhe nga shtëpia e tij në Delaware. Sipas CBS, ish-presidenti ka nisur gjithashtu mbledhjen e fondeve dhe planifikimin për ndërtimin e një biblioteke dhe muzeu presidencial, që do të dokumentojë periudhën e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Shëndeti i Biden ka qenë në vëmendjen e opinionit publik, veçanërisht pas përfundimit të mandatit të tij, ndërsa mbetet një figurë me ndikim në skenën politike dhe publike amerikane.