Lorenc Vangjeli: Po vidhen shqiptarët nga projekti i Aeroportit të Vlorës
Në studion e “Çim Peka Live” në Syri TV po diskutohet çështja e Aeroportit të Vlorës, që ka sjellë përplasjen e dy aksionarëve Behxhet Pacolli me ortakun e 2A Group, Valon Ademi.
Analisti Lorenc Vangjeli, deklaroi se pavarësisht interesave të aksionarëve, ata që dëmtohen janë shqiptarët.
“Për ata që nisën të ndërtojnë Aeroportin e Vlorës, nuk ka pikë rëndësie nëse do të ishte rentabël. Sikur vetëm pelikanë të kalojnë. Ata janë në rregull, sepse për 10 vjet rresht shteti shqiptar do të paguante riskun e investimit.
Çfarë kuptimi ka kjo? Në 2017 me një garanci më të vogël se kjo, një kompani turke nuk e mori përsipër. Tre vjet më pas, kjo shumë u rrit te 130 milionë euro. Mos vallë 47 përqind të kuotave të aksionerëve që u shitën nga kompania turke janë të barabarta me riskun që do të paguante shteti?.
E mbani mend Erion Braçen kur ishte opozitë që bërtiste që 49 përqind ishin shitur sa gjysma e çmimit të një pice. Tërheqja e turqve dhe skualifikimi i britanikëve, e bënte të pavlefshme garën.
Nga moment që u largua ky komponent, kur shteti sheh që s’ka gjasa të vazhdonte kjo garë, s’ka pikë rëndësie nëse paratë janë në xhepat e Pacollit apo Ademit. Janë xhepa të tjerë që po mbushin xhepat me këtë aeroport. Për mua, po vidhen shqiptarët nga projekti i këtij aeroporti”, deklaroi Lorenc Vangjeli në “Çim Peka Live”.