Kërcënimi i sanksioneve të BE-së kundër Izraelit 'mbetet në tryezë', paralajmëron Kaja Kallas
Bashkimi Evropian nuk do të vendosë për momentin sanksione ndaj Izraelit, duke e konsideruar situatën në Gaza ende “shumë të brishtë”. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të hënën se ndërsa armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të ka ndryshuar kontekstin, presioni ndaj Izraelit mbetet në fuqi nëse nuk ka përmirësime të dukshme në terren.
“Armëpushimi ka ndryshuar kontekstin, kjo është shumë e qartë për të gjithë. Megjithatë, nëse nuk shohim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme në terren, duke përfshirë më shumë ndihma që arrijnë në Gaza, kërcënimi i sanksioneve mbetet në tryezë,” deklaroi Kallas pas takimit të 27 ministrave të jashtëm evropianë në Luksemburg.
Ajo theksoi se BE-ja pret përmirësim të ndjeshëm në shpërndarjen e ndihmave humanitare, lirimin e të ardhurave palestineze, hyrjen e gazetarëve dhe punonjësve të ndihmës humanitare në Gaza, si dhe regjistrimin e pakufizuar të OJQ-ve ndërkombëtare.
Ndërkohë, përballë përkeqësimit të situatës humanitare në rajon, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte propozuar më herët tre masa: pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes së asociimit me Izraelin, ngrirjen e ndihmës dypalëshe dhe vendosjen e sanksioneve individuale ndaj ministrave të ekstremit të djathtë izraelitë dhe kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor.
Megjithatë, këto propozime nuk u materializuan, pasi vendet anëtare të BE-së mbeten të ndara në qëndrimet e tyre ndaj Izraelit dhe mënyrës së reagimit ndaj situatës në Gaza.