Blushi përplasjet me drejtuesen e KLP: Republika e Prokurorëve po kthehet në kërcënim për shtetin e së drejtës

Deputeti, njëkohësisht sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka pasur një përplasje të fortë me drejtuesen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, duke kritikuar ashpër veprimet dhe qasjen e prokurorëve në Shqipëri.

Blushi tha se:

'Republika e Prokurorëve po kthehet në kërcënim për shtetin e së drejtës duke sfiduar të gjitha institucionet. Prokurorët, nga akuzatorë, po kthehen në inkuizitorë ndaj qytetarëve të thjeshtë e sidomos ndaj opozitës.’

‘SPAK në krye të inkuzicionit, me qasje represive ndaj opozitës dhe pluralizmit politik. Kur edhe ju vetë iu referuat qasjes represive të SPAK, çfarë keni parasysh? Prokurorët me kërkesat e tyre po mbushin burgjet me të pafajshëm. Madje më e rëndë është fakti se 1/3 e të paraburgosurve janë pa akuzë.’, tha Blushi.

Sipas tij, ‘po krijohet perceptimi i gabuar se Akuza jep Drejtësi, kur në fakt drejtësinë duhet ta japë gjykata. Një barbarizëm institucional, që duhet të ngrinte në këmbë shtetin e së drejtës. Ju si KLP heshtni.’

Në fund, ai iu drejtua drejtoreshës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë me pyetjen:

‘Ju thatë që nuk ndiheni nën presion nga politika, po sugjerime nga diplomatë të caktuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK a keni?’