Balliu: Organizata kriminale ‘Çopja’, fakton kapjen e shtetit nga kartelet e drogës

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar, ku denoncon lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar dhe politikës në Shqipëri, duke e përshkruar vendin si një “narkoshtet”.

Në postimin e tij në Facebook, Balliu, thekson se një nga rastet më domethënëse që tregon kapjen e shtetit nga kartelet e drogës është organizata kriminale “Çopja”.

Sipas Balliut, ky grup përdorte sektorin imobiliar për pastrimin dhe qarkullimin e parave të drogës, duke fshehur aktivitetin kriminal përmes bizneseve dhe pronave.

Balliu thekson se hetimet kanë zbuluar lidhje direkte të kësaj organizate me njerëz të pushtetit, përfshirë gjyqtarë dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, figurojnë në listëpagesat e grupit kriminal.

“Ky është përkufizimi i vërtetë i narkoshtetit,” shkruan Balliu, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim me organizata kriminale dhe shkatërrim të sistemit të drejtësisë.

Deputeti opozitar shton se rasti “Çopja” është vetëm një prej shumë shembujve që vërtetojnë akuzat e opozitës. Sipas tij, e njëjta skemë kriminale shfaqet edhe tek grupet “Tropjanët”, “Bajrat” apo organizata të tjera me lidhje ndërkombëtare, si Sinaloa dhe ’Ndrangheta.

“Ndërsa në SHBA kartelet shpallen organizata terroriste, në Shqipëri ato trajtohen si aleatë dhe partnerë të qeverisë,” përfundon deklaratën e tij Klevis Balliu.