Australia akuzon Kinën për manovra të rrezikshme ndaj avionëve të saj ushtarakë
Australia ka hedhur akuza se një avion ushtarak kinez ka lëshuar fishekzjarrë në afërsi me avionin e saj patrullues mbi Detin e Kinës Jugore. Qeveria australiane i ka shprehur shqetësimin e saj Pekinit lidhur me manovrën të cilën e ka cilësuar të pasigurt dhe joprofesionale.
Departamenti i mbrojtjes në një deklaratë të hënën u shpreh se nuk pati dëme në avionin P-8A të Australisë dhe personeli i tij mbeti i padëmtuar pas incidentit të regjistruar të dielën. Një zëdhënës ushtarak kinez tha se avioni australian hyri në mënyrë të paligjshme në hapësirën ajrore të Kinës dhe u desh ndërhyrje që të largohej.
Australia ka akuzuar në shkurt se një avion luftarak kinez hodhi fishekzjarrë pranë një aeroplani australian. Kina në atë kohë tha se avioni luftarak australian kishte ndërhyrë qëllimisht në hapësirën e saj ajrore dhe se përgjigjja e saj ishte e ligjshme dhe e përmbajtur.