SYRI TV/ Banesa e Muhametit përmbytet sa herë bie shi, kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet

Banesa e Inajete Muhametit në Vlorë përmbytet sa herë që bie shi, pasi punimet e fundit në zonë kanë ngritur nivelin e rrugës, duke e lënë shtëpinë nën nivelin e saj. Ajo kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet, pasi lagështira dhe dëmtimet strukturore po e kthejnë jetesën në të pamundur.

Syri TV

Në qytetin e Vlorës, banesa e Inajete Muhametit përmbytet sa herë që bie shi, si pasojë e punimeve të kryera vitet e fundit, që kanë ngritur nivelin e rrugës përreth. Shtëpia e saj ndodhet nën nivelin e rrugës dhe të pallateve përreth duke bërë që uji të grumbullohet pa pasur dalje, ndërsa lagështira dhe dëmtimet strukturore janë kthyer në problem të përhershëm.

Në muret e banesës shihen çarje dhe shenja rrënimi, ndërsa mobiljet mbahen me gurë poshtë për të shmangur dëmtimin nga uji që mbetet për ditë të tëra pas reshjeve. Inajete Muhameti tregon se prej 13 vitesh është në procese gjyqësore me pronarët e pallateve ngjitur, të cilët, sipas saj, kanë ndërtuar pa respektuar distancat ligjore, duke e lënë shtëpinë e saj të rrethuar nga ndërtimet dhe pa sistem kullimi.

Ajo apelon për ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi situata, siç thotë, është kthyer në një kërcënim për jetesën dhe shëndetin e saj.