SYRI TV/ KLP miraton 4 kandidatët për kreun e ri të SPAK, mandati i Dumanit i përfundon në dhjetor

 

Me 10 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar 4 kandidatët për garën për kreun e ri të SPAK.
Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho plotësojnë kushtet për të garuar për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi mandati i kreut aktual të SPAK, Altin Dumanit, përfundon në dhjetor. Anëtari Zeqir Hodaj, për shkak të konfliktit të interesit, nuk mori pjesë në votim.

SYRI TV

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi të hënën listën me 4 kandidatët në garën për kreun e SPAK, përkatësisht: Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Të pranishëm në mbledhje ishin 11 anëtarë të këshillit, por Zeqir Hodaj, një prej tyre, nuk mori pjesë në votim.

Hodaj dha sqarime lidhur me disa shkrime në media, sipas të cilave ai ndodhet në konflikt interesi, pasi djali i tij është kandidat për hetues financiar në SPAK.

Në përfundim, KLP votoi me 10 vota pro (pa votën e Hodajt) listën me 4 kandidatë për garën, duke vlerësuar se ata i përmbushin kriteret për të aspiruar vendin e Altin Dumanit, të cilit i përfundon mandati 3-vjeçar në dhjetor.

Pas kësaj faze, kandidatët pritet të dalin për intervistë para anëtarëve të Këshillit, për të paraqitur platformën e tyre në një seancë të hapur. Në fund, KLP, përmes votës, zgjedh drejtuesin e ri për një mandat 3-vjeçar.