Ruben Amorim, pas fitores ndaj Liverpoolit: Thonë se nuk e kaloj Krishtlindjen, por tifozët më mbështesin gjithmonë
Manchester United regjistroi një fitore të rëndësishme dhe morale këtë të diel ndaj rivalit të madh, Liverpool, në një përballje të zjarrtë në "Anfield". Goli i vetëm i takimit u shënua nga Harry Maguire në minutën e 84-t, duke u dhënë "Djajve të Kuq" një sukses që rikthen entuziazmin mes tifozëve.
Pas ndeshjes, trajneri Ruben Amorim u shfaq i buzëqeshur dhe i çliruar në konferencën për shtyp, duke lavdëruar përkrahjen e pandërprerë të tifozëve, edhe në momentet më të vështira.
“Nuk është normale, është diçka e rrallë të gjesh këtë lloj mbështetjeje. Edhe kur skuadra ka kaluar periudha të vështira, tifozët nuk më janë ndarë kurrë. Ndërkohë që ju (gazetarët) vazhdoni të thoni se do të shkarkohem para Krishtlindjes”, tha Amorim mes të qeshurash.
"Fitorja më e mirë që kam përjetuar te United"
Trajneri portugez e cilësoi triumfin ndaj Liverpoolit si fitoren më të mirë që ka përjetuar me Manchester United, por theksoi se skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të fokusohet te ndeshja e ardhshme.
“Mos ndryshoni narrativën tuaj. Më pëlqen që vazhdoni të thoni se nuk do arrijmë në top-4 apo top-6. Ne nuk kemi ndryshuar si skuadër në këto 90 minuta, jemi të njëjtët, me shumë punë përpara”, u shpreh Amorim.
Nuk ka vend për eufori: "Duhet të fitojmë edhe ndeshjen e tretë radhazi"
Pavarësisht fitores së madhe, trajneri i "Djajve të Kuq" nuk pranoi të bënte parashikime të mëdha për sezonin, duke kërkuar vazhdimësi dhe përqendrim maksimal.
“Tani duhet të mendojmë vetëm për fitoren e tretë radhazi. Harrojeni klasifikimin, harrojeni Evropën, ne kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të përmirësohemi në çdo aspekt”, tha ai.
Në fund, Amorim reflektoi edhe mbi krizën që e ka ndjekur skuadrën gjatë vitit të kaluar, por zgjodhi të fokusohet te momenti aktual.
“Nuk e di nëse stuhia ka kaluar. Ajo që di është se nëse vazhdojmë me shpirtin që treguam sot, mund të fitojmë shumë ndeshje. Por duhet të veprojmë, jo vetëm të flasim”, përfundoi ai, duke shtuar se përgatitjet për ndeshjen e ardhshme ndaj Brighton-in nisin menjëherë.