Ura mbi Lumin Fan në Rubik rrezikon shembjen, banorët shqetësuar për sigurinë teksa autoritetet 'flenë gjumë

Ura mbi Lumin Fan, që lidh qytetin e Rubikut në Mirditë me fshatrat përreth dhe me Rrugën e Kombit, rrezikon shembjen për shkak të degradimit të gjendjes së saj.

Këmbët mbajtëse të strukturës kanë dalë në sipërfaqe dhe janë anuar në njërën anë, duke e bërë situatën mjaft serioze.

Pas mbylljes së urës së Matit, gjatë sezonit veror, rruga Pllanë-Rubik është shfrytëzuar masivisht për të shmangur trafikun e rënduar në akset kryesore, duke e kthyer urën e Fanit në një nyje të rëndësishme kalimi.

Banorët dhe drejtuesit e mjeteve thonë se degradimi i urës vijon prej vitesh, pasi kanë munguar ndërhyrjet për mirëmbajtjen e saj.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i kontaktuar mbi këtë problematikë, deklaroi se ura është nën përgjegjësinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pas kërkesave të përsëritura nga pushteti vendor, ura është inspektuar dhe janë konstatuar probleme serioze.

Në këto kushte, është dakordësuar që Bashkia të hapë unazën verilindore të Rubikut për të lehtësuar qarkullimin dhe për të mundësuar investimin e mëtejshëm në përmirësimin e urës së Rubikut.