Tragjedia në Maliq, Shefi i Zjarrfikësve: Ende nuk dihet shkaku i zjarrit fatal që vrau nënën dhe djalin/ Dëshmitarët rrëfejnë tmerrin

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Maliqit mesditën e djeshme, ku një 40-vjeçare dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre. Viktimat janë Merjeme Azizllari, 40 vjeç, dhe djali i saj, L. Azizllari. Shkaku i vdekjes dyshohet të jetë asfiksia nga tymi. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare ndodhet në QSUT, në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie të shumta në trup.

Sipas burimeve, dy fëmijët ishin vetëm në banesë dhe dyshohet se po luanin me shkrepëse në momentin kur shpërtheu zjarri. Nëna ndodhej te fqinjët dhe, kur u kthye, gjeti banesën e mbuluar nga tymi. Ajo arriti të nxjerrë vajzën jashtë, por kur u rikthye për të shpëtuar djalin, fatkeqësisht mbeti e bllokuar brenda dhe humbi jetën së bashku me të birin.

Sadik Halili, shefi i shërbimit zjarrfikës Maliq, tha në një dkelaratë pë Syri Tv, se njoftimin për zjarrin e morën rreth orës 13:30 të datës 19 tetor, nga salla operative e policisë. Ai shtoi se menjëherë ekipi i zjarrfikësve mbërriti në vendngjarje brenda një minute, për shkak të afërsisë. Kur arritën, zjarr nuk kishte brenda në banesë, por gjetën dy fëmijët, djalin dhe vajzën, jashtë. Djali ishte i pavetëdijshëm, ndërsa vajza ishte e vetëdijshme. Në derën e kuzhinës gjetën nënën e tyre, e cila ishte asfiksuar dhe kishte ndërruar jetë. Ai njoftoi ambulancën dhe u dha ndihmën e parë viktimave, të cilët më pas u dërguan në spitalin e Korçës.

Lexo edhe:  'Zjarri kishte mbaruar kur mbërritëm', Detajet rrëqethëse nga Maliqi: Nënën e gjetëm te kuzhina, fëmijët në oborr

Për këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor, ku ai është pjesë, për të zbuluar shkakun e zjarrit. Sadik Halili tha se aktualisht ekzistojnë dy pista: në kuzhinë ishte ndezur një sobë druri, ndërsa në dysheme janë gjetur disa fije shkrepëse të ndezura. Ai theksoi se ende nuk mund të konfirmojnë shkakun përfundimtar të zjarrit.

Në lidhje me ngjarjen, dëshmitarja e parë Xhemile Kapari rrëfeu momentet e tmerrit kur gjeti dhe ndihmoi vajzën e vogël:

Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo çupka qante… qante në oborr. Shkova atje dhe e pashë, dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërrita komshiun lart dhe i thashë: ‘Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur!’ Më dridhej trupi, nuk shikoja dot. Kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit?!’ Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë: Ka vdekur. Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda; e gjeti policia dhe zjarrfikësja. Vajtëm dhe ngritëm çupkën, e mbështollëm me një kuvertë jashtë. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet. Ata ishin me autizëm; vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte por nuk fliste. Djali ishte i vdekur që në korridor, ndërsa vajza po qëndronte ulur. Nëna ishte brenda. Kishin vështirësi ekonomike, me dy të sëmurë në shtëpi; kampi 200 mijë lekë nuk u mjaftonte. I ndihmonim dhe i flisnim të ëmës, se ishin dy, një nuk e mban dot, jo më dy të sëmurë. Ndihmohej, por me aq lekë sa merrnin, as për bebelina nuk u dilnin. Djalin e çonte në një qendër, ndërsa vajzën jo.”