Arrestimi i avokatit/ Çaça: S’mjafton bojkoti, duhet qasje tjetër pasi po cenohet debati gjyqësor!

Avokati Përparim Çaça shprehet se ajo që ndodhi me arrestimin e avokatit Ullia në Elbasan, është tejet e rëndë dhe bojkoti vetëm, nuk mjafton si kundërpërgjigje ndaj situatës së pa precedentë.

I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Çaça tha se përpos bojkotit, tanimë duhet ndërmarrë një qasje tjetër, më ashpër, pasi në një seancë gjyqësore avokati dhe prokurori janë të barabartë, ndërsa gjyqtari është mbi ta.

Sipas Çaçës, sjellja e gjyqtari edhe në rastin që ndodhi në Elbasan, nuk ishte një sjellje e duhur, pasi kjo cenon debatin gjyqësor, ku është e drejta e avokatit të mbrojë klientin e tij përballë akuzës së prokurorit.

Me ngjarjen e fundit, theksoi Çaça, rrezikohet që edhe avokatia të vihet nën kontrollin e shtetit.

Nuk mjafton vetëm një bojkot, duhet një qasje tjetër. Ajo që ka ndodhur në seancë, nuk është hera e parë, ka ndodhur, por të shkohet deri në arrestim s’kishte ndodhur. S’kemi të bëjmë me një barazi në sallën e gjyqit. Gjykata është  mbi prokurorin e avokatit. Qasja që ka vetë shteti sa i takon legjislacionit, ne kemi bërë disa ligje për avokatinë. Kemi bërë më ‘90, ’91, së fundmi më 2018, ka ardhur koha për një tjetër, por ta bëjmë siç duhet. Për të respektuar profesionin e avokatit.

Duhet të kemi një qasje të shtetit. S’e kemi kulturën e duhur se çfarë përfaqëson avokati. E kemi parë në mënyrën më të keqe, si sekser, që ka ulur kokën para prokurorit e gjyqtarit. Duhet parë në makro. Duhet që shteti ta ruajë fizikisht, nga ana profesionale, të ketë realisht një pikë kthese.

Çdo gjë ndodh. Mjafton të shikoni mënyrën si e moderon gjyqin gjyqtari konkret. Nëse do e merrnin fjalinë përgjysmë, ‘do merrem personalisht me prokurorin e oficerin e policisë gjyqësore personalisht... do bëj kallëzim’, ku është kanosja këtu?! Mjafton të shohim moderimin e  gjykatës, ku prokurori e gjykata janë një.

Duket sikur avokati duhet të bëjë luftë me gjykatën, e ka me prokurorin...kjo cenon debatin gjyqësor, e të drejtën avokatin për të mbrojtur klientin e tij. Nëse nuk vendosim pikat mbi i mund të ndodhë gjithçka. Mund të merret nën kontroll edhe avokatia. Zëri më i lirë në gjyq është avokati. Ndoshta jemi në diktaturë e s’po e kuptojmë akoma ose s’po e pranojmë.