'Jepi Putinit Donbasin ose do të shkatërrojë...'/ Trump kërkon 'paqe me çdo kusht' në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, që të pranojë kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Lajmin e ka publikuar prestigjiozja “Financial Times”, duke cituar burime që kanë qenë të pranishme në takimin mes dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas raportit, takimi është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar dhe shpeshherë është kthyer në “përplasje britmash”. Trump raportohet se ka paralajmëruar Zelenskyn se Putin “do ta shkatërronte Ukrainën” nëse Kievi nuk pranon kërkesat e Moskës. Ai madje ka hedhur poshtë hartat e vijës së frontit të paraqitura nga pala ukrainase dhe ka këmbëngulur që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit, duke përsëritur kërkesat e vetë Putinit.

Burimet e “Financial Times” bëjnë me dije se, pas debatit të ashpër, Zelenskyy arriti ta bindte Trumpin që të përsëriste mbështetjen për “ngrIrjen” e vijave aktuale të frontit — një formulë që do të ndalonte përkohësisht luftimet, pa ndryshime të menjëhershme territoriale.

Ndërkohë, më 16 tetor, Trump zhvilloi edhe një bisedë telefonike me Putin, ku diskutuan rreth mundësive për përfundimin e luftës. Sipas dy zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cituar nga The Washington Post, Putin i kërkoi që Ukraina të heqë dorë plotësisht nga kontrolli i rajonit të Donetskut, duke e paraqitur këtë si kusht për paqen.

As Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e presidentit ukrainas nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare mbi këto zhvillime. Të dyja palët kanë refuzuar të komentojnë për mediat ndërkombëtare.