SYRI TV/ Kremtohet festa e Zojës së Shkodrës, Imzot Peragine: Të lutemi në këto ditë për paqe

Në Shkodër besimtarët katolikë kanë nisur kremtimet e festës së Zojës së Shkodrës, pajtores së qytetit. Arqipeshkëvi imzot Giovanni Peraginë, në mesazhin e tij u ndal tek situata e  krimit në Shkodër, duke kërkuar nga besimtarët bashkëpunim për të ndërtuar një shoqëri me të mirë.

Syri tv

Besimtarët katolikë të Shkodrës kanë nisur kremtimet e festës së Zojës së Shkodrës, pajtores së qytetit. Ceremonia nisi nga katedralja e “Shën Shtjefnin”, nën drejtimin e arqipeshkvit, imzot Giovanni Peragine. Me figurën e Zojës së Shkodrës, procesioni ndaloi në disa pika të qytetit, ku u zhvilluan edhe lutje.

Para meshës së shenjtë nuk munguan disa mesazhe nga arqipeshkvi Peragine. Ai tha se kemi nevojë për praninë e Zotit edhe në qytetin tonë, ndërkohë u ndal edhe tek vrasjet dhe dhuna në kohët e fundit në Shkodër.

"Sa kemi nevojë për praninë e Zotit edhe në qytetin tonë. Në kohët e fundit ka qenë edhe "teatër" i dhunës dhe vrasjes. Maria na ndihmon të shndërrojmë dhunën në paqe, urrejtjen në dashuri. Në këto ditë, të lutemi për qytetin tonë, secili prej nesh të bëhet instrument i paqes, të mbjellë dashuri në rrugët e qytetit tonë dhe të gjithë së bashku të bashkëpunojmë që të ndërtohet një shoqëri më e mirë dhe më e denjë për të gjithë ne."

Për besimtarët katolikë, kjo ngjarje është simbol i besës, qëndresës dhe lidhjes së përjetshme mes Zojës dhe popullit të Shkodrës.