Berisha: Shqiptarët humbën një mik të madh, Janusz Bugajskin
Sali Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për Janusz Bugajskin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të analistit dhe politologut të njohur polako-amerikan, Janusz Bugajski, të cilin e cilëson si një mik të madh të shqiptarëve dhe një avokat të shquar të të vërtetave të kombit tonë.
Në postimin e tij, Berisha shkruan:
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Janusz Bugajskin.
Miq, shqiptarët humbën një mik, një avokat të shquar, Janusz Bugajski, gazetari, analisti, politologu, akademiku, strategjisti i mirënjohur, por edhe antikomunisti i vendosur polako-amerikan, mbylli sytë përgjithmonë.
Janusz Bugajski ishte njohës i thellë i çështjes shqiptare dhe problematikës së rajonit tonë dhe demokracive të reja. Ai ishte një mik fisnik, tejet i çmuar, një avokat ndër më të shquarit e të vërtetave të kombit tonë në 30 vitet e fundit.
Me Janusz Bugajskin jam takuar për herë të parë gjatë një vizite në Washington, në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1992, kur ai drejtonte Programin e Demokracive të Reja në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), që drejtohej nga njëri prej personaliteteve më të shquar të diplomacisë së SHBA, Zbigniew Brzezinski. I ftuar nga kjo Qendër, unë paraqita zhvillimet në Shqipëri.
Më pas, ndër vite, jam takuar disa herë, si dhe kam qenë i ftuar në “Orën e Bugajskit”.
Me këtë rast të trishtë, i shpreh familjes së tij të nderuar ngushëllimet më të ndjera dhe i lutem Zotit që shpirti i mirë i mikut tonë të paharruar, Janusz Bugajski, të gjejë paqen e merituar. Amin.”
Janusz Bugajski ka qenë një prej njohësve më të mirë të çështjeve ballkanike në Shtetet e Bashkuara, një zë i fortë në mbrojtje të interesave shqiptare dhe i përkushtuar ndaj proceseve demokratike në rajon.