Kremlini propozon 'tunelin e unitetit Putin-Trump' prej 113 kilometrash që do të lidhte SHBA-në dhe Rusinë
Një i dërguar i Kremlinit ka propozuar një tunel hekurudhor "Putin-Trump" mes Rusisë lindore dhe shtetit amerikan të Alaskës për të "simbolizuar unitetin", duke sugjeruar madje se mund të ndërtohej nga miliarderi Elon Musk.
Kirill Dmitriev, i dërguari special i Moskës për bashkëpunimin ndërkombëtar ekonomik dhe të investimeve, si dhe një nga negociatorët kryesorë në bisedimet e paqes për Ukrainën, sugjeroi se projekti mund të përfundojë brenda tetë vjetësh nga kompania e Musk-ut, The Boring Company, me një kosto prej 8 miliardë dollarësh. Sipas tij, kjo shumë mund të financohej nga Moska dhe "partnerë ndërkombëtarë".
Ai parashikon që lidhja hekurudhore dhe ajo e mallrave, me gjatësi 113 kilometra nën Ngushticën e Beringut, të mundësojë eksplorimin e përbashkët të burimeve natyrore.
"Elon Musk, imagjino ta lidhësh SHBA-në dhe Rusinë, Amerikën dhe Afro-Eurazinë, me Tunelin Putin-Trump, një rrugë 113 kilometra që simbolizon unitetin," shkroi Dmitriev në një seri postimesh në X të enjten.
"Kostot tradicionale janë mbi 65 miliardë dollarë, por teknologjia e The Boring Company mund t'i ulë ato nën 8 miliardë. Le të ndërtojmë të ardhmen bashkë!"
Ai shtoi: "Ky megaprojekt do të lidhë kontinentet dhe do ta bëjë The Boring Company novatorin më të mrekullueshëm të infrastrukturës në histori!"
Musk nuk ka reaguar ndaj propozimit.
Dmitriev e hodhi idenë e tunelit pak pasi presidenti rus Vladimir Putin foli në telefon me Donald Trump-in dhe ranë dakord të takohen në Hungari javët e ardhshme për të diskutuar rreth përfundimit të luftës në Ukrainë.
Ngushtica e Beringut, e cila është 82 kilometra e gjerë në pikën më të ngushtë, ndan rajonin rus të Çukotkës nga Alaska. Ideja për të lidhur të dy vendet nuk është e re, ajo daton të paktën 150 vjet më parë, me projekte të ndryshme të hartuara, por asnjëherë të zbatuara. Sugjerimi i Dmitrievit erdhi si përgjigje ndaj dokumenteve të publikuara së fundmi nga Kongresi amerikan për ish-presidentin John F. Kennedy, të cilat zbuluan një propozim për një "Urë Paqeje Botërore" mes Alaskës dhe Siberisë.
Dmitriev, një njeri me shumë role, është kreu i fondit sovran të pasurisë së Rusisë, RDIF, dhe i dërguari i preferuar i Putinit për të kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
Ai ndau një grafik të "Urës së Paqes Botërore Kenedi-Hrushov", duke treguar rrugën e mundshme të tunelit të ri midis Çukotkësdhe Alaskës, por nuk specifikoi nëse e kishte diskutuar idenë me zyrtarë rusë apo amerikanë, dhe as si do të ndikonin sanksionet në projekt.
"RDIF-ja tashmë ka investuar dhe ndërtuar urën e parë hekurudhore mes Rusisë dhe Kinës. Tani ka ardhur koha të bëjmë më shumë dhe të lidhim kontinentet për herë të parë në historinë e njerëzimit. Ka ardhur koha të lidhim Rusinë dhe SHBA-në," tha ai.
Donald Trump nuk ka komentuar mbi këtë propozim. / The Independent - Syri.net