Dobi pas barazimit me Tiranën: Jemi në rrugën e duhur, na mungoi vetëm finalizimi

Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, u shfaq i kënaqur me lojën e skuadrës së tij pas barazimit 0-0 ndaj Tiranës në “Air Albania”, ndonëse pranoi se mungesa e qartësisë para portës mbetet problemi kryesor i durrsakëve.

“Do të punojmë, por kjo ndeshje na tregoi që jemi në rrugën e duhur,” tha Dobi pas ndeshjes. “Vuajmë në finalizim. Në disa raste mungon maturia dhe qartësia për të bërë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Sot luajtëm mirë dhe meritonim fitoren.”

Tekniku vlerësoi përpjekjet e lojtarëve, por theksoi se duhet më shumë efikasitet në metrat e fundit: “Në pjesën e parë meritonim dy gola, edhe në të dytën ishim superiorë. Goli të jep qetësi, por topi nuk po gjen njeriun e duhur për ta shtyrë në rrjetë. Unë jam i kënaqur me lojën, duhet vetëm durim dhe punë për finalizimin.”

Dobi shpjegoi se skuadra u përgatit mirë taktikisht, duke qenë e kujdesshme ndaj pikave të forta të kundërshtarit: “E dinim që Tabeku është i rrezikshëm, ndaj kërkuam ekuilibër. Përgjoni bëri një ndeshje të mirë, ishim aktivë nga krahët, por nuk shënuam.”

Në fund, trajneri kërkoi qetësi dhe besim te projekti: “Kampionati është i balancuar, diferencat i bëjnë detajet. Duhet të jemi të durueshëm e të qëndrueshëm në punën tonë. Jam i sigurt se rezultatet do të vijnë.”