Bayer Leverkusen-i fiton mes spektaklit, Mainz zhytet në krizë

Bayer Leverkusen vazhdoi formën e shkëlqyer në Bundesliga duke mposhtur Mainz-in me rezultatin 4-3 në “Meëa Arena”, duke u ngjitur në katërshen e parë dhe duke zgjatur në 37 ndeshje rekordin e vet pa humbje në transfertë.

Vendasit e nisën ndeshjen me presion, por u goditën herët: Alejandro Grimaldo realizoi nga penalltia në minutën e 12-të, pas një faulli ndaj Jonas Hofmann. Vetëm pak më vonë, Christian Kofane shënoi golin e dytë për Leverkusenin pas një aksioni të bukur me pasime të shpejta.

Mainz reagoi falë Lee Jae-sung, që përfitoi nga një gabim në mbrojtjen mike për të ngushtuar diferencën, por Grimaldo shënoi sërish për 3-1, duke rikthyer qetësinë për miqtë. Paul Nebel goditi traversën pak para pushimit, ndërsa në pjesën e dytë Nadiem Amiri realizoi nga penalltia për 3-2, duke ringjallur shpresat e vendasve.

Megjithatë, hyrja në fushë e Martin Terrier vulosi ndeshjen për Leverkusen: francezi shënoi në rikthimin e tij pas një dëmtimi të gjatë, duke e çuar rezultatin në 4-2. Në minutën e 90-të, Armindo Sleb shënoi një gol të bukur për Mainz, por ishte tepër vonë për të shmangur humbjen.

Mainz mbetet në zonën e ftohtë me nëntë ndeshje rresht pa fitore në shtëpi, ndërsa skuadra e Kasper Hjulmand regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat, një parapërgatitije perfekte për supersfidën e Ligës së Kampioneve ndaj PSG-së.