Trump e zgjodhi për takimin me Putin, Orban: Hungaria i vetmi vend në rrugën e paqes

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot se shumë njerëz në mbarë botën po pyesin veten dhe po spekulojnë pse Hungaria u zgjodh si vendi i takimit për presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, dhe se përgjigjja është e thjeshtë – Hungaria është e vetmja në Evropë në rrugën drejt paqes.

Fidesz (Aleanca Qytetare Hungareze) nuk i ka dhënë kurrë leksione askujt, as kur ishte në pushtet dhe as kur ishte në opozitë, shkroi Orban në Facebook, raporton MTI.

“Ne kurrë nuk i kemi mbyllur kanalet për negociata”, theksoi ai.

Ai tha se është e vështirë të bindësh dikë për diçka pa folur me të.

“Dhe më e rëndësishmja, për vite me radhë ne kemi qëndruar vazhdimisht dhe me këmbëngulje në anën e paqes. Bashkëpunim në vend të konfrontimit, respekt të ndërsjellë në vend të stigmatizimit. Kjo është rruga drejt paqes”, tha Orban.

Ai theksoi se Hungaria është tani një vend në Evropë ku ekziston një shans serioz që negociatat midis SHBA-së dhe Rusisë përfundimisht të çojnë në paqe dhe ku edhe perspektivat evropiane mund të mbizotërojnë.

“Brukseli mund ta ketë izoluar veten, por ne do të vazhdojmë të negociojmë”, shtoi ai.