Lëvizje të mëdha në horizont: Leclerc dhe Hamilton mund të largohen nga Ferrari në vitin 2026
Botërori i Formulës 1 është drejt fundit, por teksa gara për titullin mes Oscar Piastri-t dhe Lando Norris-it vazhdon, në prapaskenë ka nisur një tjetër betejë e madhe, ajo e merkatos së pilotëve për sezonin 2026.
Sipas “Corriere della Sera”, tregu pritet të tronditet nga disa lëvizje të bujshme, ku në qendër të vëmendjes qëndron Max Verstappen. E ardhmja e katër herë kampionit të Red Bull-it është e paqartë: disa e shohin të lodhur nga projekti i skuderisë austriake dhe skeptik për motorin e ri të zhvilluar brenda shtëpisë, ndërsa të tjerë besojnë se ndarja me Red Bull-in është e pamendueshme, pavarësisht largimeve të Christian Horner dhe Adrian Newey.
Në rast se Verstappen vendos të largohet, skenarët e mundshëm përfshijnë një bashkim me Newey-n tek Aston Martin ose një kalim te Mercedes, ku Toto Wolff po e kërkon prej kohësh.
Një lëvizje e tillë mund të nisë një “efekt domino” në të gjithë paddock-un. George Russell mund të largohet nga Mercedes, duke hapur derën për një kalim të mundshëm te Red Bull ose ndoshta te Ferrari. Në Maranello, pas një sezoni zhgënjyes, mund të ndodhë një revolucion i vërtetë: nëse “e kuqja” dështon sërish në objektivat e saj, si Charles Leclerc ashtu edhe Lewis Hamilton mund të marrin në konsideratë largimin.
Në këtë vorbull emrash, përmendet edhe rikthimi i mundshëm i Carlos Sainz te Ferrari, ndërsa McLaren mund të humbasë njërin mes Piastri-t dhe Norris-it, të cilët, sipas medieve britanike, mund të kërkojnë aventura të reja pas përfundimit të kampionatit.
Merkatoja e 2026 pritet të jetë ndër më të nxehtat e dekadës në Formula 1.