SYRI TV/ Historia e naftëtarit: Refugjat në vendin tim! Ago Nuhaj, një jetë mes naftës
SYRI TV
Ago Nuhaj është një prej 10 grevistëve të cilët kanë hyrë në ditën e katërt të grevës në Marinzë. Nuhaj ka mbi dy dekada që punon në këtë profesion, të cilin duket se e ka trashgimi familjare, pasi edhe babai e vëllai i tij, kanë punuar në nxjerrjen e naftës. Ai tregon se të dy kanë humbur jetën në punë, ndërsa rrëfen se ndihet si refugjat në vendin e tij, pasi jeton në Tiranë me familjen dhe punon në Marinzë.
Ka lindur pranë ish-Kombinatit të Thellë të Naftës në Ballsh, është rritur mes aromës së rëndë të hidrokarbureve dhe zhurmës së pompave të vjetra që nxirrnin arin e zi nga nëntoka. Quhet Ago Nuhaj dhe prej gati dy dekadash punon në fushat naftëmbajtëse të Marinzës. Por, prej 12 vitesh jeton në Tiranë, ku përpiqet të mbajë familjen me tre vajza. “Refugjat në vendin tim,” – thotë ai me ironi, ndërsa fytyra i mbushet me rrudha nga vitet e jetës dhe lodhja.
Ago e ka pasur naftën në çdo hap të jetës. Ai tregon se rrënjët e kësaj lidhjeje të pashkëputur janë familjare pasi babai, xhaxhai dhe vëllai kanë punuar në sektorin e naftës. Por për këtë familje, puna në naftë nuk ka qenë thjesht mënyrë jetese, ka qenë plagë. Ai shton se puna është e rëndë, kushtet të vështira dhe pagesa e ulët.
Ago është pjesë e grupit të punëtorëve të kompanisë “Bankers Petroleum”, që prej ditësh janë futur në grevë urie për të kërkuar të drejtat e tyre. Ai është ndër më të zëshmit në këtë betejë dhe nuk nguron të thotë se nuk do të tërhiqet.
Në zërin e tij përzihet lodhja me revoltën, por edhe dashuria për profesionin që e ka mbajtur gjallë për dekada. Ai ka një apel të drejtpërdrejtë për drejtuesit e kompanisë:
Ago Nuhaj është një nga dhjetëra naftëtarët që sot kërkojnë jo vetëm pagesat e prapambetura, por edhe njohjen e statusit të naftëtarit, që për ta do të thotë respekt për punën dhe për jetën e kaluar në kushte ekstreme. Ai është babai i tre vajzave dhe, si shumë të tjerë në sektorin e naftës, ka dhënë gjithçka për kompaninë, ndërsa ka marrë shumë pak në këmbim.