Sulmi ndaj gazetarit italian/ Kush janë shqiptarët e lidhur me klanin Escobar që donin ta vrisnin
Një mjet shpërthyes me një kilogram eksploziv, i lënë midis dy vazove me fitilin e ndezur disa metra larg banesës.
Një shpërthim i fuqishëm që i ka shkatërruar dy makinat e gazetarit investigativ italian, Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit të Rai “Report” dhe që prej kohësh është nën mbrojtje. Vendi i atentatit — i cili vetëm për fat nuk shkaktoi viktima — është vila e vogël në Pomezia, një qytet në periferi të Romës, ku ai jeton me familjen.
Një akt intimidues potencialisht vdekjeprurës që ka pasur për objektiv një nga gazetarët-simbol të informimit të shërbimit publik, autor i hetimeve të forta mbi paligjshmëritë dhe korrupsionin në administratën publike, mbi krimin e organizuar, mbi fraksionet ekstreme të ultrasve dhe mbi infiltrimin e klaneve në tendera.Moderatori, i cili i ka kushtuar dhjetëra hetime çështjeve të krimit, është nën mbrojtje që prej vitit 2009, kur, pas një hetimi mbi një gurore rëre, familja Ercolano i kërkoi një personi të konsideruar të rrezikshëm ta mbante nën vëzhgim.
Edhe në vitin 2010 – tregoi Ranucci – “një përfaqësues i klanit Santapaola donte të më vriste, por vrasja u ndal nga Matteo Messina Denaro”.
Niveli i alarmit u ngrit në vitin 2021, me caktimin e mbrojtjes 24 orë në ditë.
“Një trafikant droge i lidhur me ‘Ndranghetën dhe me kartelin e Pablo Escobar kishte ngarkuar dy killerë shqiptarë të më qëllonin – zbuloi Ranucci. – Nuk i kishte pëlqyer një shërbim imi mbi lidhjet mes politikës dhe krimit”.
Ndër episodet më të fundit janë kërcënimet e nëntorit 2024 për një reportazh mbi konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës, gjetja e dy fishekëve P38 jashtë shtëpisë së tij dhe ndjekja nga disa persona që u identifikuan më pas nga eskorta e tij.