PD Vlorë: Klevis Kaso ka tradhtuar idealet e familjes dhe i shërben verbërisht Ramës…
Në një deklaratë për mediat, sekretarja e Partisë Demokratike në Vlorë, Eralba Kreshpa, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit lokal të Partisë Socialiste, Klevis Kaso. Ajo e akuzoi këtë të fundit për shërbim politik ndaj interesave të ngushta të mazhorancës dhe përçmim ndaj historisë familjare, duke theksuar se PD në Vlorë është funksionale, me struktura të plota dhe gati për zgjedhje. Deklarata e Kreshpës vjen në vazhdën e një debati të ndezur politik mes forcave kryesore në qytet, në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit.
“Pasi të sistemoi ustai yt, Rama, në themelet e Partisë së Punës, ke mbetur aty për të folur kundër PD-së dhe për të thënë se ne nuk ekzistojmë. Por PD në Vlorë është e gjallë dhe e fortë, dhe këtë e dinë mirë qytetarët”, tha Kreshpa.
Duke iu përgjigjur akuzave se demokratët në Vlorë nuk kanë struktura apo komisionerë, ajo theksoi: “425 komisionerët në qendrat e votimit nuk na i ka dhënë borxh askush. PD në Vlorë ka struktura, anëtarë dhe vëzhgues të gatshëm për çdo proces zgjedhor.”
Në deklaratën e saj, Kreshpa i kujtoi Kasos edhe rrënjët familjare, duke i thënë se “të parët e tij do ta lanetisnin për mënyrën si u shërben sot komunistëve”.