Udhëtonte i armatosur, arrestohet 30-vjeçari në aksin rrugor Lezhë–Shkodër
Policia e Lezhës ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili dyshohej se udhëtonte si pasagjer në një taksi, i armatosur me armë zjarri pistoletë.
Sipas raportimeve, shtetasi G. U., banues në Shkodër, u arrestua në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, pranë rrethit të Shëngjinit, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të automjetit taksi dhe kontrollit fizik të pasagjerit, konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me dy krehra dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi G. U. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, arma e zjarrit e sekuestruar do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.