VIDEO/ I verbër dhe pa mbështetje, njihuni me historinë e trishtë të 69-vjeçarit nga Maliqi

 

‘Piranjat’ rrëfyen sot historinë e Bajram Ganollit, 69-vjeçarit nga fshati Pojan i Maliqit, i cili prej 6 vitesh bën një jetë prej endacaku. Historinë e tij fillimisht e bën publike dy djem nga po i njëjti fshat, Klevis dhe Migel Shasho, të cilët e kishin rastisur të moshuarin një mbrëmje pranë shtëpisë së tyre.

Bajrami tregoi se ai nuk ka kontakte me asnjë nga të afërmit e tij dhe se nuk ka krijuar familje e për këtë arsye sot është i vetëm. Ai rrëfeu se gjatë jetës së tij ka punuar si bari, por prej 6 vjetësh nuk punon më dhe tashmë endet rrugëve.

Megjithëse bën një jetë prej endacaku, ai tha se e ka një shtëpi, e cila në fakt nuk ishte aspak në kushte të përshtatshme për të jetuar një i moshuar si ai. Ndaj duke parë kushtet e tij, ‘Piranjat’ u nisën drejt Bashkisë Maliq për të kërkuar ndihmën e shërbimit social.

Por aty drejtoresha dhe punonjëset nuk u treguan aspak bashkëpunuese, sepse sipas tyre ndihmën mund ta jepnin vetëm pasi të bëhej një kërkesë me shkrim.

Dhe pasi ‘Piranjat’ ua plotësuan dëshirën morën një përgjigje prej tyre, në të cilën thuhej se Bajram Ganolli është vizituar në banesë dhe se është hapur një proces për sistemimin e tij në një institucion rezidencial.