VIDEO/ Pallati në Paskuqan rrezikon themelet e ndërtesës, Rakip Suli: Uroj të të zërë poshtë kur të shembet

Jemi në Paskuqan, aty ku vitet e fundit, pallate e komplekse banimi kanë nisur të ndërtohen e shtohen çdo vit, duke mbirë ashtu si kërpudhat pas shiut, ndonjëherë pa asnjë plan urbanistik, e në raste të tjera duke rrezikuar pallatet ngjitur. Si në rastin që do të trajtojmë, ku një pallat që ka nisur të ndërtohet nga kompania ‘2N shpk’, rrezikon pallatin ngjitur pasi gropa e hapur nga kompania për ndërtimin e tyre, është ngjitur dhe madje ka nxjerrë në pah themelet e pallatit ekzistues.

Kjo ka shtuar frikën tek banorët, të cilët i janë drejtuar disa herë institucioneve për të gjetur zgjidhje, por siç shprehen ata be kanë gjetur derën e mbyllur. Ndërkohë që makineritë e rënda që kalojnë kanë shkaktuar shqetësim tek banorët për sigurinë e tyre, ndërsa shprehen se sa herë ka gërmime tek gropa që po hapet, lëkundjet ndjehen dhe tek shtëpitë e tyre.

Pronari i kompanisë 2N shpk, zoti Namik Shahini, shprehet se ka marrë leje nga Bashkia Kamëz për objektin që po ndërton ndërsa shton se nuk po rrezikon jetën e askujt, pavarësisht se refuzon të thotë se si ka mundësi që gropa e pallatit të tij ka nxjerrë në pah themelet e pallatit tjetër, i cili banohet nga dhjetëra familje. Ndërsa Oficeri i Policisë Gjyqësore, Dritan Kolnddreu i cili ka marrë dhe denoncimin e banorëve në Komisariatit e Policisë Kamëz, na tha në një telefonatë se ishte në mbledhje dhe do të na telefonante sapo të mbaronte, por nuk mori më, duke i bërë bisht detyrës për të cilën paguhet.

Ndërkohë kompania 2N mesa duket është një nga kompanitë e preferuara të Bashkisë Kamëz dhe kryebashkiakut Rakip Suli, pasi në një vëzhgim shihet se ka përfituar disa tendera për punë publike në këtë bashki. Prandaj u nisëm të pyesim zotin Suli, për shqetësimin e banorëve, por në vend që të merrnim përgjigje, u përballem me një sjellje arrogante, tallëse dhe qesharake që nuk i shkonte aspak për shtat detyrës që mban zoti Suli si qytetari i parë i Kamzës.

Në fund, përveç mallkimeve që na uroj, nuk pranoi të flasë për problemin që kanë banorët që e kanë zgjedhur dhe që nesër me shumë mundësi do të shkojë sërish tu kërkojë votën… /Piranjat